Lajme Shqip Friday, 06 April 2012 17:30

Tiranë – Bashkia e Tiranës, Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta dhe Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në bashkëpunim me Programin e OKB-së “Fuqizimi i Komuniteteve Lokale në Nevojë në Shqipëri” organizuan Panairin e Artizanëve Romë në prag të Ditës Ndërkombëtare të Romëve.

Gjatë panairit, të organizuar në Parkun Rinia, në kryeqytet, artizanët rom u përpoqën të përcillnin me produktet e tyre nje pjesë të traditës, kulturës dhe historisë së këtij komuniteti.

Anije me velat e bardha të cilat tregtoheshin nga një artizan rom, simbolizonin udhëtimin, që është një nga karakteristikat kryesore të këtij komuniteti, i cili ka filluar lëvizjen e tij nga toka mëmë rreth shekullit 13-të nga India drejt Europës, duke kaluar edhe nga Ballkani.

Një artizan tjetër tregtonte qypa dhe kosha prej kashte me format tradicionale, që mbartin sendet e këtij komuniteti, ndërkohë që disa zonja artizane rome tregtonin veshje të punuara me dorë, karakteristikë të shoqërisë rome.

8 prilli festohet kudo në botë, dhe një ndër synimet e kësaj dite është promovimi i larmishmërisë kulturore të minoritetit rom si dhe zgjerimi i rrjetit të tyre social brenda shoqërisë.