Lajme Shqip Saturday, 05 November 2011 18:00

Korçë – Artdashësit korçarë ishin mbrëmë spektatorë të romancës vokale gjermane, të sjellë në qytetin e tyre nga sopranoja Caroline Merz dhe pianisti shqiptar me banim ne Gjermani, Desar Sulejmani.

Koncerti i mbrëmjes së të premtes në Qendrën Kulturore “Vangjush Mio” në Korçë, promovoi vlerat e mëdha të romancës vokale gjermane, me një program mjaft të pasur dhe romanca të perzgjedhura të autorëve klasikë gjermanë.
Sopranoja Merz intepretoi për spektatorin korçar fragmente të Mozartit, Shuman, Brahms dhe atyre post-romantikë si Shubert e Rikard Shtraus. Gjatë interpretimit të saj, sopranoja jo vetëm shpalosi vokalin e shkëlqyer dhe vlerat e saj si një këngëtare e madhe lirike, por në interpretimin e saj ajo përcolli te publiku stilin operistik.

Pas shfaqjes, muzikologu P.Bello tha se “në një romancë prej 4 minutash, pamë një shkollë të pafund njohurish të interpretimit të muzikës operistike. Ky koncert, me vlerat e veçanta të interpretimit e mesazhet muzikore që percolli te publiku, ishte nje mësim për ata që këndojnë në stilin operistik”, tha Bello.
Koncerti i mbrëmshëm për pubikun korçar nuk ishte hera e parë që takonte me Desar Sulejmanin, i cili këtë herë u shfaq para tij si pianist solist virtuoz, ndërsa të tjera herë, ai është shfaqur si dirigjent i Orkestrës Sinfonike të Duseldorfit.

“Vijmë në Korçë me kënaqësi të madhe, sepse ketu veç traditës e publikut të dashuruar me këtë gjini muzikore, gjejmë edhe një klimë të ngrohtë, e cila rrit vlerat e performancës sonë”, thotë ai.