Lajme Shqip Saturday, 15 October 2011 15:38

Tiranë – Filmi “Falja e Gjakut”, ka tërhequr një tjetër trofe për realizmin e tij artistik. Pas çmimit për skenarit në Berlinale, fiton një tjetër çmim për skenarin më të mirë në Festivalin Ndërkombetar të Filmit në Çikago.

Në lidhje me këtë çmim, skenaristi Andamion Murataj është shprehur i nderuar të tërheq nga Festivali i Çikagos një çmim për skenarin. “Ka qënë rrugë e gjatë për të arritur deri ketu. Sot filmi shqiptar po kalon fazën e integrimeve të thella dhe filmat, më shumë se kurrë realizohen si bashkëpunime me kineastë që vijnë nga kultura të ndryshme, megjithëse gjuhët që flasim janë të ndryshme, emocionet mbeten të njëjtat”, është shprehur Murataj.

“Falja e Gjakut”, trajton historinë e një vrasjeje pas grindjes për një tokë dhe që çon në ngujimin e një familjeje. Ky zakon i vjetër që e detyron Nikut 17-vjeçar të ngujohet në shtëpi bashkë me meshkujt e tjerë të familjes, papritur ia përmbys të ardhmen atij. Ky film është një bashkëprodhim i shtëpisë filmike shqiptare “Lissus Media” dhe asaj amerikane “Dean Street Production”.

Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Çikago është një ndër festivalet më të rëndësishme dhe më i gjati festival konkurues në Amerikë. Festivali ka filluar në vitin 1964 si një alternativë ndaj kinemase komerciale. Tashmë në vitin e tij të 47-të, ky festival është një nga eventet më të njohura të kinemasë botërore kushtuar diversitetit kulturor.