Lajme Shqip Wednesday, 12 August 2015 16:20

Gratë e Zymit mblidhen rreth vajzës me duvak, një traditë e moçme e nuseve shqiptare, teksa i këndojnë për rininë dhe jetën që po lë prapa. I thurin vargje për nënën që po e lë dhe jetën e re që do të nisë. Ashtu siç e do adeti, ajo vajton.

Krejt kjo për spanjollin Philippe Gonza është e çuditshme. Ai thotë se kishte dëgjuar për traditën e martesës me mesitni, por jo edhe për pjesën tjetër të ceremonive. Tradita shqiptare thotë se e fascinon gjithmonë, por ajo që ka parë në rrëfim filmik ishte përtej asaj që ka imagjinuar. Këngët aty janë pjesë e festës, ritualeve tradicionale, spirituale dhe fetare, por shumica janë aso që këndohen në martesa. I këndohet natës para se gruaja të shkojë te burri i saj i panjohur, ku gratë e tjera dhe vajzat e fshatit i organizojnë natën e vajtimit (beqarisë).

Në një përshkrim që i është bërë dokumentarit thuhet se dashuria shumë vonë nisi të përmendej në këto këngë, por edhe atëherë kur nisi të përmendej, ajo kundrohej nga perspektiva e një mashkulli. Gruaja nuk bën të dashurohej. Gonza bashkë me rreth 100 të tjerë panë dokumentarin “Kangë e defa” me regji të këngëtares shqiptare Fatime Kosumi dhe filmbërësit të pavarur Vincent Moon nga Parisi. Ai është i njohur për videot muzikore të bendeve indie rock si “R.E.M”, “Arcade Fire” apo “Birut”.

Dyshja udhëtoi nëpër Kosovë dhe ka incizuar këngë folklorike gati të harruara. Një muaj më parë ky dokumentar u shfaq para publikut gjerman në festivalin “Berlin Short Film Festival”, ndërsa të martën për herë të parë erdhi edhe për publikun shqiptar. Ekrani i “Kino Klubit” u bë nikoqir i premierës kombëtare në ditën e katërt të festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”, i cili këtë vit po mban edicionin e 14-të.

Gonza erdhi për herë të dytë në “DokuFest” dhe thotë se tashmë këtë e ka futur në listën e ngjarjeve të preferuara. Ai ka thënë se gjithmonë është i lumtur kur arrin të takohet me kultura të reja dhe eksploron traditat, por “Kangë e defa” ia solli krejt këto në një vend.

“Në vend se të dilja vetë dhe të eksploroja më shumë, ky dokumentar ma kurseu kohën dhe m’i solli shumë detaje të bukura në një vend. Ani pse ai fokusohet vetëm në rapsoditë shqiptare, kjo flet shumë për traditën tuaj, por duke e parë nga syri i femrës”, ka thënë Gonza.

Pikërisht këtë ka mëtuar ta sjellë edhe dyshja që e ka realizuar dokumentarin. Ata kanë udhëtuar në tetë vende të Kosovës duke e përmbledhur materialin në 29 minuta. Secili rajon dallon për nga veshja, por edhe nga këngët që i këndojnë.

Duke u nisur nga Prishtina, rrugëtimi i tyre vazhdon në Dragash, më pas në Besianë, Gjilan, Shurdhan, Zym dhe në Romajën e Prizrenit. Pavarësisht dallimeve të vogla në disa zakone, gratë e këtyre vendeve i bashkon një element: kënga. Aty gërshetohen këngë të vjetra popullore, rapsodi e deri te këngët e vjetra qytetare.

Lajde Kolgjeraj është njëra prej “personazheve” pjesëmarrësve në dokumentar. Ajo këndon këngën “Kalle Shyhret kalle”, të cilën e ka të trashëguar nga gjyshja e saj. Kolgjeraj u emocionua pasi pa dokumentarin. Është ndarë e kënaqur me rezultatin përfundimtar .

“’Kalle Shyhret kalle’ është një këngë të cilën gjyshja e kishte mësuar nga një kojshike.

Unë e kam marrë dhe e kam imituar atë. Nuk kam besuar se do të dalë kaq mirë, sepse e kam kënduar në natyrë dhe ishte emocion pozitiv. Kam kënduar me gjithë zemër”, ka thënë Kolgjeraj, e cila është drejtoreshë e ansamblit etnokulturor “Katarina Josipi” në Zym. Tradita dhe kultura për të janë shumë të rëndësishme.

“Është një thesar shumë i çmuar, për ata që ia dinë vlerë. Të rinjtë sot i kanë anashkaluar traditat dhe unë me këmbëngulësi them se duhet t’i ruajmë dhe t’i mbajmë këto vlera”, ka shtuar ajo. Ka treguar se në kohën kur ajo ishte e re apo edhe atë që ka parë e dëgjuar, gratë nuk kishin të drejta të flasin dhe të shprehen pasi që zërin e tyre nuk e kishte dëgjuar askush. E për këtë lindën këto këngë të cilat dokumentojnë një pjesë të rëndësishme të zhvillimit shoqëror në vend.

Për to edhe vetë Fatime Kosumi ka nisur të interesohet së voni. Megjithëse i kujtohet se të tilla kishte dëgjuar si fëmijë në kasetat e nënës së saj.

“Ideja më ka lindur pasi mua më pëlqenin këngët me defa dhe ishte shumë e vështirë të gjendeshin. Më kujtohet t’i kam dëgjuar nga nëna ime nëpër kaseta. Pasi që shpreha interesim që të gjeja më shumë, u nisa në kërkim të tyre”, ka thënë Kosumi. Më vonë do të gjente videoincizime në internet dhe më pas i kishte lindur ideja që të kthehet në Kosovë. Kosumi ka kohë që jeton e vepron në Gjermani.

“Nisa të bëja hulumtime, kërkime për incizime nëpër fshatrat e Kosovës. Ato pak incizime që i pata gjetur kanë qenë të kualitetit të dobët dhe jo në favor të këngëtarëve dhe të atij ambienti. Ka qenë e rëndësishme për mua që t’i shfaq ato në mënyrë të bukur, që të duken ashtu siç janë”, ka thënë Kosumi, e cila së fundmi edhe vetë ka ringjallur disa këngë të moçme, por në stilin e saj. Shumë shpejt do të nxjerrë edhe një album me këngë të tilla dasmash.

Ka përpunuar një këngë të Fitnete Rexhes, ndërsa në dokumentar ka përfshirë edhe një këngë ku këndon Nazafete Shala bashkë me nënën e saj. Përveç saj ishte dhe një këngë e cila kërkon një formë të veçantë të interpretimit.

Dy gra të veshura me veshje kombëtare vendosin gishtin e madh në fyt dhe këndojnë. Këtë metodë e kishin përdorur bareshat shumë kohë më parë. Pamjet në dokumentar janë të thjeshta, kryesisht në natyrë. Dokumentari “Kangë e defa” është pjesë e garës “Balkan Dox”, dhe kjo ka një rëndësi të madhe për Kosumin.

“Mundësia e shfaqjes së filmit në ‘DokuFest’ është shumë pozitive për shkak se këtu mund ta shohin shumë njerëz. Po ashtu edhe për faktin se rajonet ku janë ruajtur këto tradita janë afër Prizrenit dhe banorët e këtyre anëve kanë mundësi ta shohin”, ka thënë Kosumi.