Lajme Shqip Saturday, 31 March 2012 12:01

Paris Revista franceze “Les lettres diplomatiques” ka botuar në numrin e së mërkurës (28 mars), një dossier mbi 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.

“Për shqiptarët, festimet e njëqindvjetorit të pavarësisë janë një moment kyç, moment ky që shënon suksesin më të madh të këtij shekulli”, thuhet në këtë dossier, ku vihet në dukje se, festimet për 100 vjetorin e pavarësisë do të kulmojnë më datë 28 nëntor 2012, 100 vjet pasi Ismail Qemalit, një nga udhëheqësit kryesorë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare si dhe themelues i shtetit shqiptar modern, shpalli pavarësinë.

“Historia ka provuar se nëse populli shqiptar ka arritur pavarësinë e tij, kjo buron nga fakti se çdo moment të historisë së tij ai ka ditur të mbetet i bashkuar dhe të gjejë një ideal të përbashkët, si kusht për të ruajtur dinjitetin e tij: Lirinë”, thuhet në shkrimin e botuar për Shqipërinë në revistën franceze.

Përtej luftërave dhe kryengritjeve që çuan në shpalljen e pavarësisë, kjo e fundit mund të konsiderohet kryesisht, si frut i përpjekjeve të kombit shqiptar në tërësi. Historikisht, koncepti i kombit ka qenë i rrënjosur thellë në mentalitetin shqiptar dhe asgjë nuk ka mundur ta thyejë atë.