Lajme Shqip Wednesday, 06 April 2011 07:39

Korçë – Ruajtja e vlerave të veprave identitare të trashëgimisë kulturore mbetet përparësi e punës së stafit drejtues dhe specialistëve të Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare, Korçë.

Drejtori i kësaj drejtorie, Artan Buzo, se “me një financim prej 1 milion euro, nga Delegacioni i Komisionit Evropian, së shpejti do të fillojë faza e parë e punimeve për rikonstruksionin e Pazarit të vjetër të Korçës. Në këtë projekt është parashikuar shtrimi me kalldrëme i rrugëve dhe sheshit kryesor të Pazarit si dhe vendosja e një sistemi ndriçimi bashkëkohor. Ndërsa faza e dytë e këtij projekti parashikon rikonstruksionin e objekteve të Pazarit të Vjetër”.

Sipas tij, me një fond prej 15 milion lekë ka nisur puna për rikonstruksionin e Manastirit të Shën Prodhonit në Voskopojë, ku do të restaurohen edhe pikturat murale. Ndërsa, me një fond prej 25 mijë euro të Ministrisë së Kulturës dhe Ambasadës Franceze të Tiranës, së shpejti do të fillojë puna për rikonstruksionin e jashtëm dhe të brendshëm të Muzeut Arkeologjik të Korçës dhe restaurimi i varreve të Selcës në rrethin e Pogradecit.

Gjatë këtij viti, Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Korçë, do të zbatojë edhe një projekt për vendosjen e sinjalistikës për objektet e trashëgimisë kulturore. Kjo sinjalistikë do të nisi që nga doganat dhe do të vazhdojë në rrugët nacionale e dytësore, deri tek objektet e trashëgimisë kulturore, duke patur si qellim tërheqjen e sa më shumë vizitorëve drejt këtyre objekteve.