Lajme Shqip Thursday, 02 February 2012 16:16

Prishtinë- Regjisori kosovar, Jeton Ahmetaj, njofton se filmi i tij, “Gomarët e Kufirit” do të marrë pjesë në festivalin e filmin “Golden Lily”. Sipas tij, filmi do të konkurrojë për çmimin e më të mirit.

Filmi kosovar “Gomarët e kufirit” është pranuar në garën zyrtare për çmimin kryesor “The Golden Lily”, të festivalit filmik GoEast Film Festival, që organizohet nga Deutsches Filminstitut – DIF. Në festival marrin pjesë filmat nga 28 shtete të Evropës qendrore dhe të asaj lindore.

“Duke pasur parasysh se ky festival organizohet nga Instituti Gjerman i filmit – DIF, konsideroj se festivali është i një rëndësie të veçantë. Për mua ndërkaq është një nder i veçantë, sepse, veç kësaj, nga 18-24 prill do ta prezantoj Kosovën dhe filmin kosovar edhe në Wiesbaden, të Gjermanisë”, theksoi Ahmetaj për mediat kosovare.

Sipas Ahmetajt, nëpërmjet këtij filmi atje do të prezantohet edhe puna e vetë QKK’së.

“Filmi ‘Gomarët e Kufirit’ deri tani ka marrë pjesë në shtatë festivale, dhe ka fituar gjashtë çmime. Shpresoj se edhe nga Gjermania të kthehem me një çmim”, u shpreh Ahmetaj.