Lajme Shqip Saturday, 18 February 2012 16:00

Tiranë – Agim Kodra, 64 vjeç nga Durrësi ishte paraqitur me urgjencë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, për shkak të dhimbjeve të forta në kraharor. Pas kryerjes së një skaneri u bë i mundur përcaktimi i diagnozës “Diseksion i aortës ashendente dhe i harkut te aortës”, që do të thotë çarje ose plasaritje e shtresës së brendshme të aortës dhe rrezik i lartë çarjeje totale e aortës.

Mjekët kardiokirurgë të QSUT arritën të realizonin me sukses operacionin, që ishte dhe një ndërhyrje e rrallë. Operacioni, që është kryer për herë të parë në Shqipëri dhe që quhet Bental Operation me Elephant trunk i modifikuar do të thotë zëvendësim i aortës ashendente dhe i harkut të aortës me një proteze vaskulare (tub prej materiali sintetik) dhe reimplantim i te tre arterieve qe furnizojnë trurin me gjak tek kjo proteze vaskulare.

Operacioni zgjati 10 orë, ndërsa u zgjua pa probleme dhe ekokardiogramat e bëra pas operacionit tregojnë funksion normal te zemrës dhe te aortës. “Vetëm 9 ditë më parë ne realizuam këtë ndërhyrje e quajtur “elefant rong” e cila është një procedurë që kërkon zëvendësimin e harkut të aortës së zemrës, arteriet që furnizojnë trurin me gjak. Kjo ka qenë ndërhyrja e parë e këtij lloji në vendin tonë, tek një pacient 64 vjeç, ku i zëvendësohet ajo pjesë e aortës me pjesë sintetike”, tha shefi i shërbimit të Kardiokirurgjisë, Edvin Prifti. Ndërkohë, kardiokirurgu Altin Veshti ka shpjeguar me anë të fotove te gjithë proçedurën e kryer gjatë 10 orëve operacion.

Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ka vizituar gjatë ditës së sotme pacientin Kodra, duke i ka uruar shërim të shpejtë, ndërsa ka pohuar se institucioni që ai drejton do të mbështesë të tilla ndërhyrje. Vasili shprehu kënaqësinë që ndante këtë ngjarje me mjekët, “një ndërhyrje që kryhet për herë të pare, ku është bërë i mundur riparimi i një defekti në aortë dhe të punuarit në kushtet e mosfurnizimit me gjak për një periudhë prej më shumë se 45 minuta të trurit”.

Një hap shumë i madh në mjekësinë tone, e vlerësoi Vasili, duke shtuar se “ky bën të mundur që edhe hapa të tjera, po të këtij lloji dhe po të kësaj kurajoje profesionale, të ndërmerren dhe në të ardhmen”.

Vasili ka garantuar gjithashtu mbështetje për këtë shërbim në aparatura duke bërë publike përfundimin e procedurave për blerjen së tyre. Ai informoi se “para pak ditësh janë mbyllur procedurat që mbështesin me pajisjen me aparatura të reja këto shërbime, falë një shërbimi të suksesshëm me Bankën Botërore. Pra mendjet e krijuara më së miri edhe me një nivel shkencor të bashkuara edhe me teknologjinë e nivelit më të lartë bëhen së bashku dhe prodhojnë më së miri rezultate të tilla”. Sipas tij, ndërhyrje të tilla rrisin besimin e klasës mjekësore e cila nuk duhet të bëjë mbrapa e nuk duhet të ketë ndrojtje me atë që shkenca ofron përpara.