Lajme Shqip Tuesday, 13 December 2011 20:00

Tiranë – Qeveria e Suedisë i siguron mbështetje prioriteteve të barazisë gjinore në Shqipëri, duke kontribuar me rreth 3 milionë dollarë për Programin e Bashkëpunimit midis qeverisë shqiptare dhe OKB-së për periudhën 2012-2016.

I ngarkuari me punë i Ambasadës së Suedisë në Shqipëri, Patrik Svensson dhe Koordinatorja e Përhershme e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, Zineb Toumi-Benjelloun nënshkruan të martën, marrëveshjen që siguron mbështetjen për prioritetet e barazisë gjinore.

Fondi suedez do të mbështesë komponentët e barazisë gjinore të Programit të Bashkëpunimit midis qeverisë shqiptare dhe OKB-së. Mbështetja do të shkojë në drejtim të forcimit të kapaciteteve të organizatave të shoqërisë civile dhe shoqatave që kanë në qendër gratë, për të kërkuar më shumë përgjegjshmëri sa i përket barazisë gjinore dhe të drejtave të grave, për të rritur rolin dhe kapacitetet e organeve vëzhguese për barazinë gjinore dhe mosdiskriminimin. Mbështetja do të shkojë edhe për zbatimin e strukturës ligjore për barazinë gjinore dhe për luftën kundër dhunës me bazë gjinore në nivel kombëtar dhe vendor, së bashku me fuqizimin ekonomik të grave.

Drejtoresha e Departamentit për Strategjinë dhe Koordinimin e Ndihmës së Huaj, Valbona Kuko, e pranishme në këtë ceremoni, theksoi se avancimi i barazisë gjinore në Shqipëri është një nga prioritetet e qeverisë.

Z. Svensson gjatë fjalës së tij tha se, eksperienca suedeze me Programin “Një OKB” ka qenë pozitive dhe jo vetëm sa i përket përmirësimit thelbësor të efiçencës së programit të OKB-së në Shqipëri që përparoi me planifikimin e përbashkët, sistemin e raportimit, një mekanizëm për fond të përbashkët dhe përmirësime në mënyrën e koordinimit të agjencive.

Ndërkohë znj. Toumi -Benjelloun theksoi se, mbështetja e Suedisë është thelbësore për t’i dhënë mundësi OKB-së të ndihmojë Shqipërinë në forcimin e mëtejshëm të arritjeve të rëndësishme në fushën e barazisë gjinore, që në shumë raste Kombet e Bashkuara patën nderin të shoqërojnë gjatë ciklit të kaluar të bashkëpunimit.

Qeveria e Suedisë është një nga donatorët e Fondit të Koherencës së OKB-së. Suedia gjithashtu ka mbështetur zyrën e Koordinatores së Përhershme të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri përmes stafit të saj teknik.

Në tetor të këtij viti u nënshkrua Programi i Bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe OKB-së. Programi bazohet në eksperiencën e përfituar nga programi i mëparshëm “Një OKB”, dhe thellon më tej reformën e Kombeve të Bashkuara në vend për t’iu përgjigjur me më shumë efektivitet përparësive kombëtare.

Programi i ri mbështet përparësitë kombëtare dhe sfidat e zhvillimit të vendit në fushat e qeverisjes, shtetit të së drejtës, ekonomisë dhe mjedisit, zhvillimit rajonal dhe lokal dhe politikave sociale gjithëpërfshirëse. Programi mbështet Shqipërinë në axhendën e saj të integrimit evropian.

Programi i OKB-së ka përfituar gjithashtu nga mbështetja e Komisionit Evropian, Spanjës, Zvicrës, Hollandës, Austrisë, Suedisë dhe Norvegjisë.