Lajme Shqip Sunday, 23 August 2015 09:03

 

Moskujdesi ndaj trashëgimisë kulturore ka ndikuar që në Kosovë qendrat tregtare të shihen si më atraktive sesa lokalitetet antike, ka vlerësuar Sali Shoshi, drejtor i organizatës “Trashëgimia kulturore pa kufij”, dega në Kosovë.

Promovimin e trashëgimisë kulturore ai e sheh të ndërlidhur me dy aspekte: ngritjen e vetëdijes së shoqërisë për ta kuptuar dhe njohur rëndësinë e trashëgimisë kulturore dhe përdorimin e trashëgimisë kulturore si resurs për zhvillim të qëndrueshëm, sidomos për zhvillim ekonomik.

Në një intervistë për “Kohën Ditore”, Shoshi ka thënë se mirëmbajta e trashëgimisë mbetet barrë e parasë publike, dhe gjenerimi ekonomik në raport me investimet nuk arrin as kuotën 1 për qind.

Për të mirëmbajtja është një proces i rëndësishëm, sikurse edhe restaurimi. Ai ka thënë se nuk mjafton vetëm restaurimi i objekteve të trashëgimisë kulturore, sepse duhet ta ketë edhe funksionalizim të qëndrueshëm të pronave kulturore.

Trashëgiminë kulturore e sheh si një prej aseteve më të rëndësishme të Kosovës për t’u promovuar në nivelin ndërkombëtar.