Lajme Shqip Wednesday, 23 November 2011 09:15

Tiranë – Qëndra Kulturore “Tirana” do t’i ofrojë publikut kryeqytetas gjatë kësaj jave dhe në ditët e festave të nëntori, një mozaik aktivitetesh e formash argëtimi për të gjitha grupmoshat.

Në datat 24, 25 dhe 27 nëntor, ora 20:00, rikthehet shfaqja “Lagjja 45” në sallën “Shekspir” të Teatrit të Metropolit, një komedi e zezë me ngjarje nga jeta e përditshme, nën regjinë e Genti Bejkos.

Në datat 26 dhe 27 nëntor Cirku i Tiranës do të sjellë premierën më të re “Thesaret e Cirkut”. Kjo shfaqje, që është një kombinim i elementëve dhe numrave më të mirë të 7 profileve të cirkut,  do të vazhdojë gjatë gjithë muajit dhjetor, çdo të shtunë dhe të dielë, ora 11:00, në Arenën e Cirkut të Tiranës.

Me rastin e festave kombëtare, Pavarësisë dhe Çlirimit të Shqipërisë, në 28 Nëntor, Bashkia e Tiranës do të organizojë një sërë aktivitetesh festive e kulturore. Cirku i Metropolit do të performojë në parkun “Rinia”, disa nga numrat e shfaqjes “Thesaret e Cirkut”, të kombinuar me elemente të tjerë artistikë të përshtatshëm për terren të hapur dhe për të tërhequr vëmëndjen e qytetarëve.

Për fëmijët do të interpretohet atë ditë në parkun “Rinia”, shfaqja “Maçoku me çizme”, ku personazhet e veshur me kostume do të japin shfaqen në ambient të hapur.

Ansambli Folklorik “Tirana” do të performojë në një koncert me këngë dhe valle të zgjedhura nga trevat e Tiranës, ditën e 28 Nëntor, në rrugën pedonale “Murat Toptani”, nga ora 11:00-13:00 dhe 16:30-18:00.

Banda e Qytetit, po atë ditë, do të performojë pjesët më të mira të repertorit në një  paradë që do të fillojë nga sheshi “Skënderbej” për të vijuar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” deri në sheshin “Nënë Tereza”.

Aktorët e Teatrit të Metropolit, në bashkëpunim me aktorët e Teatrit Kombëtar, do të vishen dhe grimohen si personazhe të njohur historik dhe sëbashku me imazhet e zmadhuara fotografikë të 4 figurave historike si Isa Boletini, Ismail Qemali etj, do të krijojnë këndin e fotografisë, ku qytetarët do të mund të bëjnë foto me këto personazhe. Ky aktivitet do të zhvillohet në ambientet e Muzeut Kombëtar në oraret 11:00-13:00 dhe 16:30-18:00.

Qëndra Kulturore “Tirana”, një institucion në varësi të Bashkisë së Tiranës, është krijuar në vitin 2005 me vendim të Këshillit Bashkiak, duke grupuar në një strukturë të vetme Cirkun e Metopolit, Ansamblin Folkorik “Tirana”, Bandën e Qytetit , Teatrin e Metropolit dhe Teatrin e Metropolit për Fëmijë.