Lajme Shqip Thursday, 10 November 2011 18:00

Tiranë – Punonjës të shëndetësisë në qarqe të ndryshme të vendit janë trajnuar për parandalimin dhe trajtimin e viktimave të dhunës në familje.

“Shifra të tilla si 1600 punonjës të shëndetësisë të trajnuar, shtrirja e problematikës në 6 qarqe të vendit; Dibra, Lezha, Elbasani, Korça, Durrësi dhe Fieri pra qarqe të mëdha edhe nga pikëpamja demografike, janë tregues të një hapi të hedhur me siguri, të cilit i shtohet edhe përfshirja e udhëzuesve për parandalimin e dhunës dhe trajtimin e viktimave të saj”, tha ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, në një takim me përfaqësues të UNFPA, drejtues të institucioneve shëndetësore në vend, si dhe punonjës të sistemit.

“Ngritja e kapaciteteve të punonjësve të shëndetësisë për trajtimin e problemit të dhunës me bazë gjinore është një domosdoshmëri për të adresuar problemin e dhunës sa social aq dhe shëndetësor të shoqërisë sonë”, tha më tej Vasili. Sipas tij, punonjësit e shëndetësisë kanë një ndikim shumë të rëndësishëm në parandalimin dhe trajtimin e këtij problemi, duke qenë se popullata ka kontakte të shpeshta me ta.

“Punonjësit e shërbimeve shëndetësore kanë një rol kye në identifikimin, trajtimin, kujdesin dhe referimin e grave, vajzave dhe fëmijëve që kanë patur eksperienca të dhunës, ose rrezikojnë të jenë viktima të saj duke qenë se  Institucionet e kujdesit shëndetësor, sie janë qendrat e planifikimit familjar, konsultoret e grave dhe fëmijëve, qendrat shëndetësore, spitalet etj, janë vendet ku popullata merr shërbime të vazhdueshme”, u shpreh ministri Vasili.

Në përfundim të fazës së parë të trajnimeve në 6 qarqe të vendit  për përgatitjen e profesionistëve të shëndetësisë dhe pajisjen e tyre me metodologjinë dhe protokollet e trajtimit, raportimit dhe referimit të rasteve të dhunës në familje, ministri Vasili theksoi se zgjidhjes së kësaj problematike i është çelur një portë e madhe komunikimi që do të jetë gjithmonë e hapur. “Sot është një moment absolutisht i rëndësishëm sepse besoj se të gjithë jemi dakord që kemi kapur zemrën e një problemi tepër delikat, problemin e dhunës në familje, që do ta konsideroja anakronik në shekullin në të cilin jetojmë. Mënyra se si ka ecur puna dhe suksesi i kësaj sipërmarrjeje tepër të rëndësishme është prova se një organizim i mirë, me vullnet të fortë dhe me partnerët e duhur mund të fitojë çdo sfidë”, theksoi ministri Shëndetësisë.

Ndërsa ka vlerësuar rolin e UNFPA-së si një mbështetje të rëndësishme në ecurinë e këtij bashkëpunimi, ministri Vasili theksoi se në këtë problem shumë delikat roli i personelit mjekësor është i pazëvendësueshëm. Në takim u shpreh qartë angazhimi për adresimin e dhunës në familje si një çështje e lidhur ngushtë me të drejtat e njeriut, të drejtat e fëmijëve, barazinë gjinore, eksesin në shërbimet shëndetësore, mirëqenien fizike dhe mendore të  popullatës si dhe harmoninë e shoqërisë.