Lajme Shqip Thursday, 04 October 2012 08:03

TIRANË – Në datën 6 tetor trupa e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit si dhe ajo e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore do të interpretojnë për publikun e Prishtinës Musicalin e parë shqiptar “Rituali i jetës”, nga koreografi Arian Sukniqi.

Në një intervistë për portalin, koreografi Sukniqi tha se pritet që në shfaqje të jenë rreth 3200 vetë. “Shpresojmë që shfaqja në Prishtinë të ketë më shumë sukses pasi është më e kuptueshme për motivet që janë përdorur në të, të cilat janë më afër zonës së tyre. Ritet e shfaqjes, si gjama, dasmës, lindjes janë më të perceptueshme për këto zona veriore”, tha Sukniqi. Sipas tij, shfaqja ka ngjallur interes në Prishtinë dhe të gjitha vendet e Pallatit të Sportit janë të rezervuara, ndërkohë që shfaqja pritet të ndiqet nga personalitete të larta të Kosovës dhe Shqipërisë. “Rituali i jetës” shkon në Kosovë, si një nismë e aktiviteteve të përbashkëta të 100-vjetorit të Pavarësisë mes dy vendeve. Ndërkohë, që shfaqja do të udhëtojë më pas edhe në Podgoricë, Sarajevë dhe Athinë.

Musicali e pati premierën në qershor në skenën e TKOB-së dhe është shfaqur më pas në skenën e Teatrit “Migjeni” në Shkodër, në Kalanë e Bashtovës në Kavajë si dhe në Ulqin. “Musicali është pritur shumë mirë në vendet ku është dhënë. Shfaqja e fundit ka qënë në Ulqin, kanë qënë rreth 7000 veta dhe nuk iknin mbas shfaqjes. Ne u detyruam të përsërisnim dy pjesët e fundit. Është musicali i parë shqiptar dhe të tjerët e kanë si bosht për ide të reja”, tha Sukniqi.

“Rituali i jetës” bazohet në tre linja kryesore si: lindjen, dasmën dhe vdekjen, por që do të vijnë invers për publikun që ai të mos largohet me brengë. Etnomusicali bashkon artistë e trupës së baletit të TKOB-së me solistët e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, të cilët do të interpretojnë nën muzikën e Klodian Qafokut. Shfaqja vjen si një zinxhir ritesh që fillojnë nga gjëma njerëzore, vdekja, për të kaluar më pas tek dasma dhe në fund musical-i mbyllet me optimizmin e lindjes, për të dhënë mesazhin se jeta është e bukur.  Triptiku skenik, “Xhubleta e Gjamës”, “Një vello në jare”, “Ninulla që përkund jetën”, kanë element autentik të popullit tonë marrë nga krahina të ndryshme.

Artistët do të interpretojnë në skenografinë e Bledar Gerxhaliut, e konceptuar në tre skena të ndryshme, sipas triptikut skenik, ndërkohë që kostumet e Ansamblit do të jenë të gjitha folk, ndërsa të balerinëve të TBKO-së do të jenë moderne me elemente kombëtare. Koreografi Arian Sukniqi do të vazhdojë me realizimin e musicaleve, kësaj here për figurën e Ali Pashës, në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë, si një figurë e rëndësishme e historisë së Shqipërisë. Muzika nga Klodian Qafoku tashmë ka përfunduar dhe shfaqja pritet të vihet në skenë brenda këtij viti jubilar. Shfaqja “Rituali i jetës” në Prishtinë është mundësuar nga Spitali Amerikan, i cili ka marrë përsipër gjithçka për këtë shfaqje me kosto shumë të lartë.(LajmeShqip.com)