Lajme Shqip Tuesday, 13 December 2011 14:29

Mitrovicë – Promovimi i këtij libri u organizua në praninë e shumë të ftuarve, në një ambient të këndshëm në selinë e Shoqatës “Handikos” në Mitrovicë, e cila përkujdeset për personat me aftësi të kufizuar.

“Tema është çështja imagjinare, por që më jep ndjenjën si gjënë më të vërtetë të kësaj bote”, ka thënë Hoti, duke e quajtur librin si të veçantë për shkak të karakterit që përmban.

Sipas autorit, 600 libra nga gjithsej 700 të botuara (një pjesë i janë dhuruar bibliotekës së qytetit), i jepen donacion Shoqatës “Handikos” me seli në Mitrovicë, nga shitja e të cilave do të përfitojnë anëtarët e kësaj Shoqate për nevojat e tyre.

“Të gjitha të ardhurat i dedikohen Shoqatës ‘Handikos’ si mjet pune, ndërsa për qytetarët shpresoj të hapet një derë për socializimin e tyre me këta njerëz”, u shpreh Hoti.

Ai falënderoi Kuvendin Komunal, përkatësisht DKRS-në në Mitrovicë, dhe të gjithë ata të cilët kontribuan dhe besuan në të arriturat e këtij libri, të cilët siç u shpreh ai, do të mbeten pjesë e kujtimit të përhershëm për të.

Ndërkaq, Artan Osmani, drejtor i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, u shpreh të jetë i lumtur që një fytyrë publike, siç është zëdhënësi rajonal i Policisë së Kosovës në Mitrovicë, Besim Hoti, ka bërë promovimin e librit të tij të dytë. “Uroj që këtij njeriu edhe në të ardhmen t’i shërbej mendja dhe penda.

Ndjenjën për të mbështetur këtë projekt e ka bërë edhe më të fuqishme fakti se të gjitha të ardhurat nga shitja e librit do t’i dhurohen Shoqatës ‘Handikos’”, ka thënë Osmani, duke uruar që vepra të tilla të ketë edhe në të ardhmen.

Në anën tjetër, Merita Voca, kryetare e Shoqatës ‘Handikos’ në Mitrovicë, falënderoi autorin e librit për gjestin human, duke vlerësuar lartë kontributin e tij ndaj kësaj Shoqate.

Të pranishëm në këtë promovim ishin edhe disa nxënës të shkollës fillore ‘Andon Zako Çajupi’, të cilët me prezencën e tyre shprehën gatishmërinë për të kontribuar në shitjen e këtij libri. “Kemi ardhur të ndihmojmë edhe ne këtë pjesë të shoqërisë, të cilën nuk e shohim asnjëherë ndryshe, por gjithmonë të barabartë me ne”, thanë ata. (LajmeShqip.com)