Lajme Shqip Thursday, 18 October 2012 10:15

Tiranë – Në ambientet e kampus të universitetit “Vitrina” në Tiranë u promovua libri “Kosova” e Jusuf Buxhovi. Në një auditor akademik, ku ishin të pranishëm shumë nga profesorët dhe ligjëruesit e njohur të këtij universiteti, në të cilin ekziston Instituti i studimeve Pellazge, për veprën e historianit Buxhovi folën Kozeta Zavalani, prorektori Teki Kurti si dhe profesor Lutfulla Peza.

Duke e prezantuar punën shkencore të Buxhovit, profesoresha Zavalani tha se  në përvjetorin e 100-të të pavarësisë së Shqipërisë, “Kosova” paraqet një dhuratë të çmueshme historiografisë shqiptare, me të cilën i hapen rrugët një të menduari ndryshe jashtë kornizave ideologjike dhe stereotipeve që e kanë ngarkuar deri më tani shkencën tonë.

Teki Kurti vlerësoi lart “Kosovën” duke e quajtur një vepër shumë të rëndësishme shkencore. Puna e Buxhovit jo vetëm që do të fitojë mbështetës në qarqet tona shkencore, por ajo do t’i hapë rrugë hulumtuese të mëtutjeshme çështjes pellazge.

Lutfulla Peza, ndërkaq, e vlerësoi punën e Buxhovit, duke e quajtur atë të një rëndësie shumë të madhe për historiografinë shqiptare, e cila mund t’i hidhërojë me të drejtë falsifikatorët nga radhët e akademikëve serbë dhe gjithë ata që, për fat të keq, edhe në shkencën shqiptare, nuk po ia dalin të lirohen nga kthetrat e saj.(LajmeShqip.com)