Lajme Shqip Thursday, 27 December 2012 19:48

Tiranë – Në 26 gushtin e vitit 1913, do të dilte numri i parë i gazetës “Përlindja e Shqipëniës”, organ zyrtar i Qeverisë së Vlorës. E cilësuar si organi i vetëm publicistik në atë periudhë, ajo kishte për synim të mbronte të drejtat kombëtare të shqiptarëve përmes botimeve të shkrimeve të ndryshme me karakter politik, kulturor, edukativ, letrar etj. Numri i saj i fundit, do ta shihte dritën e botimit më 28 mars 1914.

Sot paradite, në Bibliotekën Kombëtare promovohet një botim i veçantë për këtë gazetë.  Bëhet fjalë për një riprodhim fotostatik të saj, që ditë më parë u promovua si fillim në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare në Prishtinë. Me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, gazeta është marrë nga arkivi për herë të parë në këtë formë. Ajo ishte botim i Qeverisë së Vlorës, qëllimi i së cilës ishte dhënia e informatave kombëtare dhe mbrojtja e të drejtave kombëtare shqiptare. Gazeta kishte karakter politik, kulturor dhe artistik, ndërsa roli kryesor i saj ishte ndërlidhja me vendet evropiane dhe afrimi i raporteve me vendet fqinje. Ngjarjet, të cilat kryesisht lidheshin me krijimin e statusit të Shqipërisë pas vitit 1912, ishin temat kryesore që trajtoheshin tek “Përlindja e Shqipëniës”. 

Në numrin e parë të gazetës “Përlindja e Shqipëniës”, në shkrimin kryesor të saj me titull “Kqyrje politike” paraqitet jehona e Konferencës së Bukureshtit pas luftërave të përgjakshme në Ballkan, si dhe trajtohen interesat e vendeve të Ballkanit për një prani më të madhe në përvetësimin e territoreve të synuara. 

Në numrin e dytë të gazetës dallohet shkrimi “Konferenca e Londrës tha fjalën e fundit për çashtjen shqipëtare”. Këtu trajtohet fati i Shqipërisë para mbledhjeve të Fuqive të Mëdha në Londër, statusi i Shqipërisë, kufiri me fqinjët, fati i shqiptarëve në Kosovë, Dibër e Çamëri. 

Në shkrimin autorial të Mihal Gramenos me titullin “Cilët jemi”, trajtohet roli i miqve shpëtimtarë, – siç i quan Grameno Italinë dhe Austrinë, – të cilët ndikuan në afirmimin e së drejtës shqiptare për liri dhe pavarësi, duke e sensibilizuar opinionin ndërkombëtar për fatin e kombit shqiptar në periudha të ndryshme të historisë së tij. Më tutje, Grameno paraqet të dhëna interesante për historinë e kombit shqiptar, pastaj për personalitetin e Ismail Qemalit dhe të personaliteteve të tjera.
Shqipëria si ishte… 

Në faqet e kësaj gazete shihet Shqipëria si ishte. Gazeta kishte për synim kryesor paraqitjen e shkurtër të ngjarjeve kryesore të cilat ndërlidheshin me krijimin e statutit për Shqipërinë, pastaj rolin dhe kompetencat që do të kishte Ministria e Arsimit në edukimin e brezave, paraqitja e vendimeve të ndryshme që organizoheshin në konferencat e mbajtura në qytetet e Shqipërisë: Gjirokastër, Shkodër, Berat, Korçë etj. 

Po kështu, nuk është lënë jashtë vëmendjes as shtrirja e hershme e territoreve shqiptare. Shkrimi “Kufitë e Shqipëriës. Shqipëria e lirë”, na paraqet të dhëna interesante që kanë të bëjnë me heroizmin kombëtar të Skënderbeut, pastaj pushtimet e tokave shqiptare nga perandoria turke, si dhe nga vendet fqinje. Ndërkaq, në shkrimin publicistik “Gjyqësia në Shqipërië”, të Kristo Floqit jepen informacione për funksionalizimin e drejtësisë dhe të ligjeve në Shqipëri, duke u dhënë përparësi sistemit gjyqësor dhe veprimeve patriotike të qeverisë. 

Në numrat e tjerë vijues, gazeta “Perlindja e Shqipëniës” i jep një dimension të veçantë shpresës, punës dhe bashkimit të shqiptarëve për të arritur qëllimet e tyre në funksionalizimin e shtetit të shpallur. Duhen dalluar shkrimet: “Kosova asht jona”, “Thirrja e qeveriës te Fuqitë e mëdha”, “Serbia dhe kryengritja e Kosovës” etj. Në këto shkrime dominon porosia për të arritur qëllimin e parashtruar nga intelektualët dhe patriotët shqiptarë në realizimin e misionit të tyre për të dhënë kontribut për ndërtimin e Shqipërisë. 

Figurat politike 

Gjithashtu, vend të veçantë zë edhe trajtimi i figurave politike e diplomatike. Pos Ismail Qemalit, Hasan Prishtinës, Isa Boletinit etj., një vend të rëndësishëm zë edhe figura e Esad Pashë Toptanit dhe e Wilhelm de Wiedit etj. Karakterizimi i veprimtarisë së tyre bëhet në raport me zhvillimin e ngjarjeve politike e qeverisëse në Shqipëri. Trajtimi i ngjarjeve të shumta, kryesisht politike përbrenda viteve 1913 dhe 1914, të cilat janë botuar në këtë gazetë, janë me interes për historiografinë shqiptare, meqë burimet dëshmojnë për shumë fakte dhe argumente edhe të panjohura deri më sot. 

Në promovimin e realizuar në Kosovë, drejtuesi i Bibliotekës Kombëtare të Prishtinës, Sali Bashota ka thënë se “Gazeta ‘Përlindja e Shqipëniës’, duke qenë zëdhënëse e ideve për mbrojtjen e interesave kombëtare, ka ndikuar në sensibilizimin e opinionin shqiptar dhe të opinionit ndërkombëtar për rrugëtimin e Shqipërisë drejt realizimit të idealeve të lirisë dhe të pavarësisë”. Bashota dhe prof. Aurel Plasari, bënë me dije se botimi u realizua si projekt i përbashkët i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, e cila vuri në dispozicion koleksionin e kësaj gazete që ruan në fondet e Arkivit të vet, dhe i Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, e cila realizoi përgatitjen dhe botimin e materialit. Botimi luksoz, i një cilësie të lartë tipografike, do t’u shpërndahet bibliotekave në Shqipëri dhe Kosovë, për pasurimin e fondeve të tyre dhe vënien në dispozicion të studiuesve dhe lexuesve në përgjithësi. Gjithashtu, varianti elektronik i këtij botimi është hedhur në portalin albanologjik Shqipëri-Kosovë. (LajmeShqip.com)