Lajme Shqip Wednesday, 23 March 2011 19:56

Prizren – Konferenca dyditore “Ruajtja e Zonave Historike në Kosovë”, e organizuar nga zyra e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian (EUSR), Pieter Feith, përfundoi sot me një diskutim plenar për rekomandimet përfundimtare. Në këtë konferencë, mbajtur në Prizren,  morën pjesë më shumë se njëqind e pesëdhjetë ekspertë teknikë nga Kosova dhe rajoni, duke përfshirë Serbinë dhe Bullgarinë, përfaqësues të autoriteteve qendrore dhe lokale në Kosovë, nga shoqëria civile, BE-ja dhe organizatat ndërkombëtare, të cilët diskutuan rreth veprimeve efektive për planifikimin dhe menaxhimin e trashëgimisë kulturore dhe të asaj urbane, bëhet e ditur nga zyra e EUSR.

“Përkushtimi i demonstruar nga një numër i madh i pjesëmarrësve dhe diskutimet e shumta i kanë dhënë një vrull të ri energjie interesit për nevojën që të ketë veprim urgjent për ruajtjen e trashëgimisë kulturore urbane”, tha Feith.

Ai shtoi se trashëgimia e larmishme kulturore e Kosovës ka potenciale të mëdha për zhvillimin e turizmit për të gjitha komunitetet në Kosovë, si dhe për sigurimin e vendeve të reja të punës.

Konferenca doli me një varg rekomandimesh për strategjitë dhe veprimet konkrete që duhet të çohen përpara dhe të sëndërtohen më tej nga autoritetet e Kosovës, me mbështetjen e të gjitha palëve të interesuara, përfshirë këtu ekspertët, organizatat profesionale dhe shoqërinë civile.

Në axhendën e punimeve të konferencës, ishte edhe prezantimi i “Rasti i Beratit dhe Gjirokastrës”, nga Emin Riza, Akademia e Shkencave e Shqipërisë.