Lajme Shqip Wednesday, 11 May 2011 13:59

Prishtinë – Festivali Internacional i Muzikës së Re, “ReMusica” këtë vit feston ditëlindjen e dhjetë. Për një dekadë ai ka qenë në shërbim të popullarizimit të muzikës kontemporane dhe promovimit të kompozitorëve e artistëve kosovarë. Edicioni i sivjetmë, që do të mbahet në mes të datave 25 maj dhe 2 qershor, do të përmbledhë 13 koncerte dhe një sërë ngjarjesh si tribuna, konferenca e promovime, njoftojnë emdiat kosovare.

Trumbetisti virtuoz Romain Leleu, i cili në vitin 2009 është shpallur artist i vitit në Francë, do të jetë vetëm njëri nga yjet që do të sjellë “ReMusica”. Në skenën e këtij festivali do të performojnë edhe dirigjenti i njohur holandez René Gulikers, me pianistin Jouni Somero nga Finlanda, që do shoqërohen nga Filarmonia – Opera e Kosovës. Nga Kroacia do të vijë ansambli me famë “I Solisti di Zagreb”, në koncertin e të cilëve solist do të jetë Petrit Çeku, pastaj dueti (flautë-fizarmonikë) nga Italia, Tito Ciccarese dhe Gianni Fassetta, si dhe pianistja e famshme nga Japonia, Aki Takahashi.

Edhe këtë vit kisha katolike “Shën Ndou”, Salla e Kuqe, Teatri Kombëtar i Kosovës e Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës do të jenë nikoqirë të festivalit dhjetëditor. Përveç Prishtinës, “ReMusica” sivjet do të mbajë koncerte edhe në Prizren, Mitrovicë e Gjakovë.

Drejtori i “ReMusica”, kompozitori Rafet Rudi, ka thënë se përgatitjet për organizimin e edicionit jubilar kanë nisur moti.

“Këtë vit dukshëm do të kemi një numër koncertesh të nivelit shumë të lartë profesional e atraktiv”, ka premtuar Rudi.

Risi e edicionit të sivjetmë është edhe zgjerimi i stafit organizativ të festivalit me bashkëpunëtorë nga Italia, Belgjika dhe Vietnami, që do të ndihmojnë në mbarëvajtjen e festivalit. Ata janë njerëz të rinj dhe staf standard i festivalit të njohur “Ars Musica” të Brukselit.

Ashtu si vitin e kaluar, edhe këtë vit do të mbahet konferenca, ku në mesin e të ftuarve do të jenë drejtorë dhe udhëheqës të festivaleve evropiane nga Zvicra, Italia, Holanda dhe natyrisht ato rajonale.

Rudi ka thënë se këtë vit do të mbahet edhe mbrëmja “Multimedia”, ku me elektronikë dhe video do të prezantohet klarinetistja nga Kanadaja, Krista Martynes.