Lajme Shqip Sunday, 11 November 2012 17:23

Prishtië – Nga flamuri në flamur, për 100 vite atij i janë bashkangjitur elemente të ndryshme, por njëri ka mbetur çdo herë.

Shqiponja ka qenë gjithmonë në flamur gjatë gjithë etapave të shtetit shqiptar, që nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, Principata e Vidit, gjatë Republikës së Parë e të Dytë, Monarkisë, Rënies së Komunizmit, e deri tek Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Stacioni i parë i ekspozitës me “Flamuj shqiptarë, një itinerar historik nga 1912 – 2012”, është hapur në Prishtinë, të shtunën pasdite, kuratorë të së cilës janë Artan Lame dhe Artan Shkreli.

Të pranishëm ishin drejtues të institucioneve të Kosovës, si kryeparlamentari Jakup Krasniqi, kreu i PS-së, Edi Rama, deputetë të dy Kuvendeve Kosovës dhe Shqipërisë, personalitete të letrave shqipe, e shumë të tjerë.

Artan Lame ka mbledhur 30 flamuj të ndryshëm origjinalë, 50 foto disa prej të cilave shfaqen për herë të parë, dhe i ka sjellë në Muzeun e Kosovës në Prishtinë, në një ekspozitë që është organizuar nga Partia Socialiste e Shqipërisë, dhe e mbështetur nga Ministria e Kulturës në Kosovë dhe Asosiacioni i Komunave të Kosovës.

“Kanë qenë breza të tërë shqiptarësh të dy anëve të kufirit që kanë vdekur me ëndrrën që të shikonin ose të ngrinin një flamur në këto vise. Ne sot këtu, ngremë jo një flamur, por një sallë të tërë me flamuj shqiptarë të të gjitha kohëve. Ky është një privilegj që në këtë moment e kemi vetëm ne”, tha publicisti Artan Lame.

Për kryeparlamentarin e Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili është edhe historian, vlerësoj se flamuri është pjesa më e lavdishme e historisë së shqiptarëve.

“Shumëllojshmëria e flamujve që po shohim sot, e që në qendër të të gjithëve është shqiponjë, por në ngjyra e forma dhe me shtesa të ndryshme, tregon se sa e vështirë ka qenë rruga e Shqipërisë në vecanti, por akoma më e vështirë gjatë këtyre 100 viteve ka qenë historia e kombi shqiptar”, deklaroi kryeparlamentari Krasniqi.

Kreu i opozitës në Shqipëri, Edi Rama vlerësoi se shqiptarët i ka bashkuar flamuri pavarësisht se ku kanë jetuar.

“Ndoshta në mungesë të një atdheu real të përbashkët që t’i mblidhte e t’i nxinte të gjithë brenda, shqiptarët ndoshta me subkoshiencë kanë zgjedhur flamurin si atdheun ideal të bashkimit të tyre, pavarësisht kufijve dhe territorit ku kanë qenë të detyruar të jetojnë gjatë gjithë kësaj ecurie 100-vjeçare”, tha kryesocialisti Edi Rama.

Më tej, Rama shprehu nevojën që shqiptarët të ndërtojnë së bashku perspektivën europiane. Po ashtu, që të ndërtojnë një perspektivë të përbashkët për sigurinë energjetike të shqiptarëve në të dy anët e kufirit, dhe për një system doganor të përbashkët, mes dy vendëve.

Ekspozita në fjalë, e cila u vlerësua si unike, do të qëndroj e hapur në Prishtinë edhe më 11 nëntor. Me datë 13 dhe 14 nëntor do të zhvendoset në Gjakovë, ndërkaq, në Vlorë do të qëndrojë e hapur për 28 dhe 29 nëntor.(T.Ch)