Lajme Shqip Monday, 11 April 2011 09:58

Prishtinë – Në edicionin e nëntë të “Javës së Bibliotekës në Kosovë”, që do të fillojë nesër, do të promovohet portali albanologjik Shqipëri-Kosovë.

Institucioni më i lartë bibliotekar në Kosovë, do të ketë një sërë aktivitetesh të tjera, që shënojnë këtë edicion të këtij manifestimit ndërkombëtar, i cili këtë vit mbahet prej 12 deri më 16 prill.

Temë bosht e edicionit të nëntë të javës së bibliotekës në Kosovë është” “Bibliotekat e Kosovës dhe informacioni”.

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Sali Bashota, tha se do të ketë shumë aktivitete gjatë kësaj jave në Prishtinë, Prizren dhe disa biblioteka të tjera të Kosovës. Bashota, theksoi se promovimi i portalit albanologjik, është njëri ndër projektet më kapitale të Bibliotekës.

Gjatë këtij edicioni do të përurohet edhe bibliografia e librit shqip nga Biblioteka e Shqipërisë. Gjithashtu do të hapen edhe disa ekspozita në Prishtinë e Prizren. Ky manifestim çdo vit përsoset me forma të reja të komunikimit lidhur me rolin dhe misionin që kanë bibliotekat në shoqërinë tonë. Kjo veprimtari, organizohet nga Biblioteka Kombëtare  Universitare e Kosovës dhe Ambasada amerikane në Prishtinë.