Lajme Shqip Monday, 25 April 2011 08:16

Prishtinë – Imazhe të cilat paralajmërojnë ardhjen e stinës së pranverës, të shndërruara në fotografi, janë ato që kërkohen në garën e fotografisë të cilën e ka hapur Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë.

“Ethet pranverore në Kosovë”, është titulli i garës, nga e cila do të përzgjidhet fotografia më e mirë për t’u publikuar në rubrikën “Mirë se erdhët në Kosovë” të ueb-faqes së kësaj ambasade.

Fotografët që duan të bëhen pjesë e garës kanë kohë që fotografitë t’ia adresojnë Ambasadës gjermane më së largu deri në ditën e 25-të të muajit prill. Kushti numër një për t’iu futur garës është shkrepja e aparatit me të cilën përjetësohet një imazh që paralajmëron pranverën.

“Nuk duhet plotësuar kushte të veçanta. Kushdo që e ka për qejf bërjen e fotografive dhe dëshiron që nëpërmjet tyre të shprehë ndjenjat lidhur me pranverën, mund të marrë pjesë”, ka thënë Christoph Deissenberger, referent për kulturë në Ambasadën Gjermane.

Sa i përket përzgjedhjes, ai ka thënë se procedura do të jetë e ngjashme me garën e realizuar në dhjetor të vitit të kaluar. “Përzgjedhjen e fotografive e bën një ekip prej ambasadës. Ashtu si në garën e  fundit, gjatë së cilës kemi pranuar jashtëzakonisht fotografi të bukura, përzgjedhja e fotove më të mira nuk do të jetë e lehtë”, ka thënë ai.

Deissenberger ka thënë se interesimi për pjesëmarrje në garë, duke u bazuar në përvojën e kaluar, pritet të jetë i madh.

“Kjo garë na ndihmon neve për të prezantuar anët më të mira të Kosovës në një vend prominent, siç është faqja zyrtare e internetit e Ambasadës sonë”, ka thënë ai.

Kjo është gara e dytë e këtij lloji që organizohet nga Ambasada gjermane në Prishtinë. Në dhjetor të vitit të kaluar ishte organizuar gara fotografike me titull “Bora në Kosovë”.