Lajme Shqip Saturday, 22 August 2015 11:35

Më shumë se njëzet specialistë botërorë të folkloristikës do të bëhen bashkë në Prishtinë. Ata do të mblidhen për t’u bërë pjesë e konferencës ndërkombëtare për balada, që për herë të parë do të mbahet në Kosovë.

Duke nisur nga 31 gusht deri më 4 shtator, Komisioni Ndërkombëtar i Baladës – i themeluar më 1966 në Frajburg (Freiburg) të Gjermanisë – do të mbajë aktivitetet në Institutin Albanologjik në Prishtinë. Anëtarët e kësaj shoqate takohen për çdo vit në konferencë vjetore dhe diskutojnë mbi problemet e baladave dhe këngëve tradicionale, shkruan sot Koha Ditore.

Tema bosht e konferencës së sivjetme do të jetë “Botët paralele në balada dhe këngë popullore” (Parallell Worlds in Ballad and Folk Song), dhe do të trajtohet nga 26 studiues ndërkombëtarë dhe disa vendorë. Këto informacione janë bërë të ditura në një komunikatë të lëshuar nga Instituti Albanologjik.

“Me pjesëmarrjen e studiuesve të folklorit nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, në dy konferencat e fundit ndërkombëtare të baladës, në Turqi (2012) dhe në Hungari (2014), respektivisht me pranimin e tyre si anëtarë të rinj në Komisionin Ndërkombëtar të Baladës, i erdhi radha edhe Kosovës të jetë vend nikoqir i kësaj konference. Kështu, ideja e filluar më 2012 dhe e konkretizuar më 2014 po merr formë sivjet”, thuhet në komunikatë.

Në Këshillin organizativ të konferencës së sivjetme, krahas anëtarëve ndërkombëtarë, janë edhe katër anëtarë të rinj nga Kosova, studiues të Institutit Albanologjik. Leontina Gega – Musa, Lumnije Kadriu, Visar Munishi dhe Arbnora Dushi janë studiuesit kosovarë që njëkohësisht përbëjnë edhe pjesën lokale të këtij këshilli.

Dushi ka thënë se kjo ngjarje është e një rëndësie të madhe. Sipas saj, një konferencë ndërkombëtare e tipit të këtillë është e para herë që organizohet në Kosovë.

“Ardhja e mbi njëzet specialistëve botërorë të folkloristikës duke filluar nga SHBA-ja, Afrika e Jugut, Belgjika, Irlanda, Portugalia, Sllovenia e deri te Maqedonia e Shqipëria është një ngjarje akademike së pari dhe kulturore së dyti.

Prezantimi i vlerave tona shkencore, nëpërmjet pjesëmarrjes edhe të studiuesve vendorë, por edhe i vlerave tona kulturore, të trashëgimisë e të përditshmërisë, përbën një mundësi të veçantë që të na njohë bota nëpërmjet njoftimit me anën tonë më të mirë”, ka thënë Dushi. Në komunikatën për media të IAP-it thuhet se e veçanta e këtyre takimeve është se çdo vit konferenca organizohet në vende të ndryshme të botës, duke i ardhur radha, në këtë mënyrë, secilit anëtar të Komisionit të bëhet nikoqir në vendin prej nga vjen.

“Ndërrimi i vendit për çdo vit bëhet me qëllim njohjeje me veçoritë kulturore, por edhe akademike, të vendeve dhe popujve të ndryshëm. Ndonëse shpenzimet e akomodimit në konferencë kryesisht janë barrë e secilit pjesëmarrës, është praktikë që vendi nikoqir, respektivisht institucioni akademik ku organizohet konferenca, të ofrojë logjistikën dhe pjesën organizative e kulturore të konferencës”, thuhet në komunikatë.

Deri më tani kjo konferencë, e filluar në Gjermani, është mbajtur në Çeki, Norvegji, Francë, Slloveni, Finlandë, Holandë, Danimarkë, Hungari, Skoci, Greqi, Belgjikë, Angli, Itali, Irlandë, Kroaci, Kanada, Suedi, Islandë, SHBA, Rumani, Letoni, Ukrainë, Bjellorusi, Portugali, Turqi, Afrikë të Jugut, Hungari, duke arritur të organizohet nga edhe dy herë në disa prej këtyre shteteve. Konferenca do të zhvillohet e tëra në gjuhën angleze, dhe përveç aktiviteteve shkencore do të ketë edhe disa aktivitete kulturore, ku pjesëmarrësit do të kenë rast të njoftohen me traditat e vendit.

Dushi ka bërë të ditur se tradita e organizimit të kësaj konference është praktikë që kryetari i qytetit ku mbahet konferenca të organizojë një mbrëmje mikpritëse për studiuesit mysafirë. Këtë traditë, aty thuhet se ka premtuar se do ta vazhdojë edhe kryetari i qytetit të Prishtinës, Shpend Ahmeti.