Lajme Shqip Thursday, 13 October 2011 11:20

Tiranë – Shkrimtari i madh i letërsisë shqipe, Dritëro Agolli, ka mbushur sot 80 vjet. Ditëlindja e tij e 80-të është nderuar sot në Kuvendin e Shqipërisë me një duartrokitje deputetësh, me propozim të kryetares së Kuvendit, Jozefian Topalli, kurse kreu i Bashkisë së Tiranës i ka bërë Agollit një vizitë në shtëpi.

Kryebashkiaku i uroi gjigantit të letrave shqipe, jetë të gjatë. Basha u shpreh se Dritëroi është një nga autorët e mëdhenj të letërsisë shqiptare dhe një figurë e dashur publike, me vizion të kthjellët, të qëndrueshëm dhe të pandikuar nga interesat e çastit.

Dritëro Agolli, i cilësuar Homeri i gjallë e i vërtetë jo vetëm i Shqipërisë, por i mbarë qytetërimit modern, mban titulllin “Nderi kombit” (1988).  Vepra e tij letrare është përkthyer në shumë vende të botës si Francë, Gjermani, Itali, Rusi, Greqi, Spanjë, Rumani, Portugali, Norvegji, Siri, Izrael, Danimarkë etj.

Ai ka shkruar në të gjitha zhanret si në poezi, publicistikë, dramë, skenare filmash dokumentarë dhe artistikë.

Alen Boske, shkrimtar dhe kritik frëng ka shkruar për Agollin se: “Shqipëria na zbulon një autor me përmasa të mëdha … Dhe dinamiti mbulohet me petale. Një autor që meriton famë europiane”.

Agolli  është fitues i katër çmimeve të Republikës dhe i disa çmimeve vjetore në letërsi. Dritëro Agolli, është Anëtar i Akademisë së Firences “Muzat” në Itali. Ai është Qytetar Nderi i qyteteve të Korçës, Tiranës, Gjirokastrës etj.