Lajme Shqip Wednesday, 30 March 2011 16:55

Paris  – Poeti i ri japonez Hiroshi Taniuçi është fitues i çmimit vjetor “Urat e Strugës” të cilin e jep UNESKO dhe “Mbrëmjet strugane të poezisë”.

Ai zyrtarisht do të shpallet nesër mbrëma në Paris ku në mënyrë solemne do të fillojë shënimi i jubileut 50 vjeçar të “Mbrëmjeve strugane të poezisë”.

Manifestimin do ta hapë ambasadori i Maqedonisë në Francë, Agron Buxhaku. Do të flasë edhe ambasadori i Japonisë në UNESKO Isao Kico, ndërsa për festivalin do të flasë Danillo Kocevski, drejtor i MSP-së.

Në ceremoninë do të prezantohet dhe do të mbajë fjalim akademiku Mateja Matevski, laureat i edicionit të 50-të të MSP dhe do të lexohet poezia e tij.

Do të ketë edhe ekspozitë të piktorit Vlladimir Temkov, ndërsa manifestimi do të mbyllet me shfaqjen e filmit dokumentar për 50-vjetorin e festivalit më të njohur poetik në Ballkan.