Lajme Shqip Tuesday, 26 July 2011 18:19

Prishtinë – Dy poetët shqiptarë, Ali Podrimja dhe Xhevahir Spahiu, po marrin pjesë në Festivalin e Poetëve Botëror në Francë.

Në Setee, qytezën piktoreske të Francës që shtrihet buzë Detit Mesdhe, ka filluar Festivali Ndërkombëtar i Poezisë “Zëri i gjallë” (Voix Vives).

Është ky një takim tradicional, që kësaj radhe filloi më 23 korrik, dhe që përfundon më 30 korrik.

Në festivalin poetik janë tubuar qindra poetë nga e gjithë bota, ndërsa poezia shqipe atje prezantohet nga Ali Podrimja (Kosovë) dhe Xhevahir Spahiu (Shqipëri).

Dje, të pranishmëve me poezinë shqipe iu drejtua poeti Ali Podrimja, i shoqëruar nga përkthyesi i tij Aleksandër Zoto.

“Në këtë kongres poetik në Francë do të përpiqemi të japim mesazhe poetike në shqip, të tregojmë zërin tonë të gjallë për Kosovën dhe shqiptarët, për folenë poetike në tërësi dhe për prejardhjen e poezisë së tyre në veçanti”, u ka thënë Ali Podrimja mediave shqiptare.

Ky manifestim i fjalës së bukur, brenda vetes tubon poetë, kritikë, miq të poezisë së re dhe botues nga e gjithë Evropa. E, dy poetët shqiptarë, aty do të shpalosin jo vetëm guximin poetik karshi poetëve ndërkombëtarë, duke i lexuar në gjuhën e tyre amtare, por ata, në njëfarë mënyre, përmes vargjeve, do të lobojnë për Kosovën dhe popullin e saj. Megjithëse, poezitë e dy poetëve shqiptarë do të recitohen edhe nga disa aktorë francezë.

Organizatorët e festivalit të poezisë kanë pohuar se takimi i sivjetmë poetik do të përmbyllet me botimin e një antologjie të poetëve nga mbarë bota, që marrin pjesë në festival, përfshirë këtu natyrisht edhe poezitë e Ali Podrimës dhe Xhevahir Spahiut.
Ndryshe, letërsia shqipe në Francë sot prezantohet me rreth 13-14 autorë të përkthyer nga fusha e poezisë dhe e prozës.