Lajme Shqip Monday, 28 March 2011 20:21

Berisha: Mentefiore, një prej penave më të shquara të kohës

 

Tiranë – “Një prej penave më të shquara të kësaj kohe që ka shkruar për historinë,” e ka cilësuar pasditen e sotme kryeministri Sali Berisha shkrimtarin anglez, Simon Sebag Montefiore gjatë promovimit nga shtëpia botuese “55”, të disa prej librave të tij si “Stalini”, “Në oborrin e Carit të kuq”, “Jeruzalemi”, “Stalini i ri”, “Sashenka, Katerina e madhe dhe potemkini”.

Ndërsa vlerësoi se “Montefiore qëndron sot në krye të botimeve për historinë, por dhe letrave”, kryeministri Berisha theksoi se “në një hark kohor të shkurtër, librat e tij, botimet e tij janë shpallur botimet e shekullit”.

Referuar botimit të Montefiores mbi Stalinin, udhëheqës komunist rus, Berisha u shpreh se  “vepra e Montefiore ndriçon me vërtetësi të madhe të gjitha aspektet e njeriut, që ndërtoi sistemin që u provua si eksperimenti më tragjik në historinë e njerëzimit. Një eksperiment që i kushtoi, ndoshta qindra milionë jetë”.

Kryeministri Berisha u ndal në këtë çështje, duke u shprehur se “20 vjet më parë, sundimet, regjimet e këtij sistemi ranë njëra pas tjetrës, u shëmbën nga një seri faktorësh, por përmasat e barbarisë së këtij sistemi janë qartësisht të pavlerësuara aq sa duhet”.

Ai vlerësoi se “një përpjekje të madhe po bëjnë SHBA-të me muzeun e viktimave të komunizmit, kurse në Evropë është vendosur pothuajse jo çensura, por një lloj harrese e kërkuar dhe kjo është për të ardhur keq. Madje shpesh të krijohet përshtypje se pluhuri toksik i ideologjisë dhe propagandës së shpërndarë, po qarkullon sërish në kontinentin tonë”.

Duke iu drejtuar shkrimtarit anglez, Berisha theksoi se, “Shqipëria është një vend i vogël, shqiptarët janë një vend i vogël, por ju garantoj se veprat tuaj nuk vlerësohen më shumë se sa tek shqiptarët, të cilët kishin për 45 vjet Stalinin e klonuar tek Enver Hoxha”.

Në këtë konktekst, kryeministri e vlerësoi diktatorin komunist Hoxha, si “diktator që imitoi në mënyrën më autentike, egërsinë dhe barbarinë e Stalinit ndaj popullit të tij, madje e tejkaloi atë në ndonjë qëndrim të tij. Të dy këta ishin ateistë, por ateizmi total shtetëror u vendos vetëm në Shqipëri. Dhunimi që i bëri ndjenjës fetare, ishte dhunimi me ekstrem i Staklinit shqiptar, ndaj shqiptarëve”.

Vetë historiani anglez duke shprehur mirënjohjen, theksoi se ndihet i lumtur që ka mbërritur në Tiranë, ndërsa vlerësoi se “ky vend ka shkrimtarë të njohur”.

Shkrimtari dhe historiani i njohur anglez Simon Sebag Montefiore u nderua paraditen e  sotme me titullin “Doctor Honoris Causa” nga rektorati i Universitetit të Tiranës, të cilën ja dorëzoi rektori Dhori Kule.

Historiani dhe shkrimtari anglez ka promovuar në Tiranë pesë librat e tij, botuar në gjuhën shqipe, ku më i fundit e më i njohuri është “Jeruzalem”, që cilësohet si një biografi dhe një histori e re mbi Lindjen e Mesme.

Shkrimtari Simon Sebag Montefiore konsiderohet si “ati i historisë moderne”, ndërsa libri i tij “Jeruzalemi” kryeson listën e librave më të shitur.

 

 

 

Tiranë – Të paktën pesë libra të historianit dhe shkrimtarit britanik, Simon Sebag Montefiore, “Stalini, në oborrin e Carit të kuq”, “Jerusalemi”, “Stalini i ri”, “Sashenka”, “Katerina e madhe dhe Potemkini”, janë botuar për lexuesin shqiptar, u promovuan sot, në Tiranë, në prani të autorit.

Montefiore, për vizitën e të tij të parë në Shqipëri, që e ëndërronte prej kohësh, shprehet se është ndjerë shumë i nderuar dhe i impresionuar, ndërsa nuk e fsheh dëshirën për të shkruar për vendin tonë.

“Jam shumë i lumtur, shumë i kënaqur, shumë i emocionuar që kam ardhur në Shqipëri dhe më bëhet shumë qejfi që shqiptarët do të lexojnë librat e mi. Unë gjithmonë kam qenë mahnitur nga historia e Shqipërisë”, tha Montefiore.

Në lidhje me letërsinë dhe autorët shqiptarë, shkrimtari bestseller shprehet se njeh Ismail Kadarenë, nga i cili ka lexuar romanin “Rrethimi” (Kështjella), por, njëkohësisht, shprehet se “do të donte ta njihte më shumë”.

“Rrethimi’ është një roman shumë i mirë. Kadareja është një person i madh që i ka rezistuar diktaturës dhe, gjithashtu, është dhe një figurë e letërsisë botërore”, thotë Montefiore.

Gjatë promovimit të librave të tij, në hotel “Sheraton”, ai u shpreh se në Perëndim janë të ndërgjegjshëm dhe e vlerësojnë Shqipërinë si djep të kulturës perëndimore.

“Ndërmjet librave të mi kam synuar të nxjerrë në dritë të kaluarën dhe duke nxjerrë në pah atë dhe krimet që janë kryer gjatë saj, t’u shërbejë njerëzve për të rritur vigjilencën e tyre, që gjëra të tilla mos të përsëriten”, tha Simon Montefiore, duke ju referuar botimeve të tij mbi Stalinin.

Historiani bëri të ditur se aktualisht po shkruan një novelë për Sashenkën. “Do të doja shumë që të shkruaj edhe një libër për Shqipërinë”, u shpreh Montefiore.

Në promovimin e librave ku i pranishëm ishte Kryeministri Sali Berisha, botuesi i shtëpisë botuese “55”, Fahri Balliu u shpreh se tematikat e librave të Montefiores janë një ushtrim i domosdoshëm për inteligjencën e një vendi si Shqipëria, e cila s’ka as dy dekada që ka dalë nga diktatura.

Novelisti Montefiore mbërriti dje në Shqipëri. Sot paradite ai u nderua nga Universiteti i Tiranës me titullin “Doctor Honoris Causa”.

Shkrimtari britanik Simon Sebag Montefiore konsiderohet si ati i historisë modern, ndërsa libri i tij “Jerusalemi” kryeson listën e librave më të shitur. Historian, novelist dhe njëkohësisht drejtues televiziviv, është nderuar me shumë çmime për romanet e librat e tij historikë, disa prej të cilëve janë realizuar edhe në kinematografi. Librat e Montefiores janë botuar në rreth 33 gjuhë.