Lajme Shqip Friday, 15 April 2011 10:00

Durrës – Një artiste e re, nxënëse në shkollën e mesme artistike “Jan Kukuzeli” të Durrësit është prezantuar këto ditë në Spanjë nga violinisti i shquar Florian Vlashi. Pianistja e re Kamela Haxholli në dy mbrëmjet e fundit ka debutuar në skenat spanjolle të qytetit të Korunjës.
“Kamela interpretoi me sukses si soliste së bashku me orkestrën e të rinjve “Camerata Brigantina”, tha nga Spanja, Florian Vlashi, i cili përveçse ka drejtuar formacionin instrumental, ka interpretuar në violinë përkrah artistes së ardhshme durrsake. Dy solistëve shqiptarë u janë bashkuar edhe nënë e bir, Rediana Lukaçi në violonçel dhe Daniel Vlashi në violinë, si pjestarë të formacionit ku bëjnë pjesë edhe 8 instrumentistë të tjerë spanjollë e të huaj.
Spektaklet e përfshira në “Koncertet e Pranverës” kanë nisur mbrëmjen e së martës në sallonin e Cirkut të Artesas, ndërsa të mërkurën formacioni ishte mysafir i Konservatorit të Kuleredos. 
Kamela dhe Orkestra e të rinjve u ngjitën në skenën, ku ka intepretuar në moshën 8-vjeçare një nga violinistët dhe kompozitorët më të mirë spanjollë të kohrave, Pablo Sarasate (10 mars 1844-20 shtator 1908), tha Florian Vlashi. 
“Artistja 17-vjeçare shqiptare interpretoi në formë intermexoje tre pjesë me vështirësi të madhe dhe me virtuozizëm pianistik, që ajo i zgjidhi me saktësi”, shkruante dje gazeta “Opinion” e Korunjës, duke theksuar se “Florian Vlashi është një njeri me kulturë të gjerë, që kur organizon koncerte, qoftë me GIS XX, qoftë me “Camerata Brigantina” programet e tij kanë “diçka më tepër,” që pretendon dhe arrin të krijojë një lidhje mes kompozitorëve të përzgjedhur”.
Në repertorin e “Camerata brigantina” u përfshinë vepra të njohura nga Antonio Vivaldi, Isaac  Albeniz, Astor Piazzolla dhe Rimsky Korsakov.  
Violinisti shqiptar Vlashi është pjesë e orkestrës Sinfonike të Galicisë në Spanjë dhe në La Korunja, qytetin ku jeton që prej 19 vjetësh, ku ka themeluar dhe drejton Ansamblin Instrumental “Shekulli XX”. 
Florian Vlashi që nga viti 2003 organizon çdo dy vjet në Durrës, qytetin e tij të  lindjes, javën kulturore  “Netët e muzikës klasike”, me artistë të njohur vendas dhe të huaj.
Pianistja Kamela Haxholli, nxënëse e shkollës së mesme artistike “Jan Kukuzeli”  ka mbërritur në Spanjë këto ditë si fituese e edicionit të fundit të konkursit të Talenteve të rinj. Konkurrimi veror ku marrin pjesë nxënës instrumentistë nga Durrësi dhe vendi organizohet në kuadër të “Netëve të muzikës klasike”, Bienalja e Durrësit që ka si protagonist Florian Vlashin. Dy vjet më parë Vlashi prezantoi në Spanjë violonçelisten e re Albana Karaj, fituese e konkursit të Talenteve të edicionit të “Netëve të muzikës klasike” në Durrës në vitin 2007.