Lajme Shqip Monday, 01 October 2012 16:48

TIRANË – Bordi i Qendrës Kombëtare Kinematografike këtë vit e ka pasur të lehtë përzgjedhjen e filmit pasi mes prodhimeve të tjera kinematografike, “Pharmakon” është i vetmi që i plotëson kërkesat e akademisë “Oscar”.

Që të shkohet drejt “Oscar-it”, përveç faktit që produksioni duhet të jetë shqiptar në tërësinë e elementeve, filmi duhet të jetë shfaqur në kinema nga tetori i vitit 2011 deri në shtator të këtij viti. Në këtë hark kohor, “Pharmakon” ka qenë i vetmi që i është prezantuar publikut.

“Pharmakon” flet për rrugëtimin e një të riu drejt rritjes e pjekurisë dhe kërkimin e së vërtetës, në një periudhë të pështjellë, jo vetëm në jetën personale të personazhit kryesor, por edhe të superstrukturës dhe vendit ku ai jeton. Historia e filmit përqendrohet në një marrëdhënie dashurie mes një djali të ri e një vajze të re, në zemër të një sistemi patriarkal dhe cinik të dorëzuar përballë urisë për pushtet, korrupsionit dhe mashtrimeve.     

Me protagonist Klevis Begën (Kastro Zizo), Olta Gixharin, Niko Kanxherin dhe Vasil Goda, “Pharmakon” vendos në fokus një konflikt të hapur brezash, mes një ati dhe një biri.

Filmi është tërësisht shqiptar, ndërkohë që stafi kreativ i tij është bashkuar dhe përmbledhur nga anë të ndryshme të botës. Muzika e filmit është kompozuar nga Anton Lennartsson, një kompozitor i ri dhe i talentuar suedez. Filmi ka dy drejtorë fotografie, të cilët gjithashtu debutojnë në një film të metrazhit të plotë Ji-Hwan Park nga Seul, Koreja e Jugut dhe Ram Shani nga Tel Aviv, Izrael.

Një vit më parë nuk munguan debatet pasi përzgjedhja e filmit “Falja e gjakut” e regjisorit Joshua Marston nga QKK që u skualifikua më vonë, u kundërshtua jo pak nga regjisori Bujar Alimani, i cili në prononcimet e tij në media pretendonte se filmi nuk përmbushte rregullat e konkurrimit në “Oscar”. Gjatë asaj kohe akuzat dhe kundërakuzat mes palëve nuk munguan, ku më pas u përzgjodh filmi i regjisorit, Bujar Alimani “Amnistia”. Me këtë film, Shqipëria u përfaqësua në garën çmimeve “Oscar” në vitin 2012, por që nuk mundi të përfshihej në pesë filmat të cilët do të konkurronin në kategorinë e filmit më të mirë të huaj.(LajmeShqip.com)