Lajme Shqip Monday, 06 February 2012 15:40

Tiranë – Përkujtohet sot përvjetori i pestë nga dita kur pushoi së marri frymë Kadri Roshi, artisti që i ka dhënë jetë roleve që mbahen mend gjatë në kujtesën e popullit.

Miq e kolegë e përkujtuan “Nderin e Kombit” në Teatrin Kombëtar, aty ku Roshi veshi petkun e më shumë se 100 roleve. Edhe pse janë bërë plot pesë vjet që Kadri Roshi është ndarë nga jeta, kolegët e tij e kanë të vështirë të thonë i ndjeri, për një artist që ka lënë pas personazhe të paharruar në teatrin dhe kinematografinë shqiptare, që tashmë i shijojnë nga ekrani i vogël.

Për aktoret Drita Pelinku, artisti Kadri Roshi është shembulli për të frymëzuar dhe nxitur zhvillimin e kritikës skenike e cila në ditët e sotme është shumë larg nga ajo e dikurshmja.

“Interpretimi i Kadriut duhej me kohë të ishte studiuar, zbërthyer dhe për të cilin duheshin nxjerrë përgjithësime teorike shumë të vlefshme për artin skenik shqiptar”, tha Pelinku.

Kadri Roshi, i pagëzuar nga publiku si “mbreti i vërtetë” i artit, mbahet mend jo vetëm për mjeshtërinë e interpretimit, por edhe si artisti që zbërthente në detaje materialin dramaturgjik dhe forcën e madhe transmetuese që kishte në publik.

“Kadri Roshi ishte artisti që pranonte vërejtje nga kushto, edhe nga studentët. Kadri Roshi i kërkonte i “vidhte” vërejtjet”, kujton Drita Pelinku.

Të interpetoje krahë Kadri Roshit ka qënë fat, kënaqësi dhe një shkollë arti për artistët e tjerë. Aktorja Roza Anagnosti e cilësoi Roshin si një magjistar të skenës shqiptare, një mjeshtër të fjalës, i cili e ka ndihmuar të thellojë mjeshtërinë e saj artistike.

“Është një personalitet i kombit. Për mua arti i tij është shkolla e filmit dhe teatrit shqiptar. Të punoje me të ka qenë kënaqësi. Një artist me një disiplinë artistike të përsosur”, tha Anagnosti.

Sëmundja e gjatë që e kishte kapur artistin prej kohësh i mori jetën në vitin 2007, në moshën 83 vjeçare, duke lënë pas hijen e roleve të tij, dhe batuta që e kanë përjetësuar figurën e tij. Artisti Roshi, i konsideruar si i pazëvendësueshëm, për të birin e tij, Kliti Roshi, është një artist si të tjerë që do të mbeten të pazëvendësueshëm për 100 vjet, por që më pas do të zëvëndësohen nga brezi i ri i aktorëve.

“Kadri Roshi, shoku, miku im më i mirë, pastaj babai dhe kolegu fizikisht më mungon që prej 5 vitesh, por falë transmetimeve të disa filmave unë ndiej sikur e kam në krahë, sikur do të ndajmë orën kur do të nisemi për të gjuajtur peshk”, tha Kliti Roshi.

Interpretimet e Kadri Roshit në rolet si plaku Mere tek “Njeriu me top”, kujdestari te “Lulëkuqet mbi mure”, Lefter Dhosi tek “Tana”, Marko Ruvina tek “Fije që priten”, Ezopi tek “Dhelpra dhe Rrushtë” në teatër, apo Arturo Ui, etj, janë dëshmia e talentit të tij që i’u mohua në një konkurs teatral në vitin 1945. Por, artisti vendos të konkurojë për herë të dytë ku së bashku me Naim Frashërin skualifikohen. Në vitin 1950 Roshi përfundon studimet e tij në Pragë, me rezultatin më të lartë të vlerësuar, “shkëlqyeshëm”.

Roli i tij i parë, mbas kryerjes së studimeve ishte Osipi i Gogolit i cili më pas u pasua nga qindra role. Në  ’83 vitet e jetës së tij ndërthurin vështirësitë e një jete prej jetimi, çiraku, portieri kinemaje dhe deri tek aktori origjinal dhe “Nderi i Kombit” nga viti 1999.

Pesha e këtij titulli është e madhe, do të shprehej ai në atë kohë, por brezat dhe kolegët e mi që do të vijnë nga pas, do më ndihmojnë ta mbajë…