Lajme Shqip Wednesday, 14 December 2011 09:25

Tiranë – Për herë të parë në historinë e sportit shqiptar, u mundësua dje hapja e Qendrës së Mjekësisë Sportive dhe Kontrollit Antidoping, investim ky i Qeverisë shqiptare dhe Agjencisë turke për Zhvillim TIKA.

Kjo qendër, sipas drejtoreshës Klodiana Shala, “hapet për herë të parë në 80 vjet veprimtari sportive në Shqipëri dhe si qendër unikale që i shërbejë sportit elitar në Shqipëri, të gjithë ekipeve kombëtare të çdo lloj sporti e moshe, në përgjithësi gjithë sportit shqiptar”.

Ambasadori turk, Hasan S. Asan, u shpreh i kënaqur në përurimin e qendrës së parë sportive të këtij lloji në Shqipëri. “Kjo qendër ka një rëndësi strategjike për sportin shqiptar dhe unë e kuptoj mirë rëndësinë e saj, ndaj falenderoj TIKA që kontribuoi në këtë çështje”, tha Asan.

TIKA, sipas tij, me veprimtarinë e saj, projektet që ka realizuar në Shqipëri, tashmë mund të themi që ka fituar patentën e saj me punimet dhe projektet. “TIKA në bazë të kërkesave të qeverisë shqiptare dhe në bazë të kërkesave të shoqërisë verpimtarinë e saj do t’a shtrijë dhe në qytete të tjera të Shqipërisë dhe fusha të tjera. Në këtë aspekt TIKA, Ambasada dhe institucionet përkatëse turke presin dëshirat e Shqipërisë motër dhe mike”, tha më tej ambasadori turk.

Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, nga ana e tij, theksoi se “është hera e parë që në Shqipëri ka një qendër të mirëfilltë të mjekësisë sportive dhe me të gjitha kushtet, që Organizata Botërore Antidoping ka vendosur. Sot Shqipëria është në përputhje të plotë me kërkesat e kësaj organizate dhe Njësisë Antidoping pranë kësaj qendre”, duke shtuar se bashkëpunimi me TIKA do të vazhdojë edhe më tej.

Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ndërsa e cilësoi ditë e veçantë për këdo që shikon sportin si një aktivitet të shëndetshëm, tha se “falë mjekësisë sportive të mirë vështirë se mund të ketë sport që funksionon mirë dhe shëndetshëm”.

Sipas tij, kjo është një mundësi e re për të gjithë ata sportistë dhe gjenerata që vijnë këtu të cilët marrin më të mirën nga një sport që jep mesazhe pozitive. “Jemi në një moment zhvillimi të rëndësishëm të një komponenti të sportit që shpeshherë mund ta invalidizojnë sportin dhe mund të prishë dhe karrierën e njerëzve”, tha Vasili, duke falënderuar qeverinë turke për të gjitha projektet në fushën e shëndetësisë, një ndër të cilët dhe dializa e fëmijëve.

Kjo qendër, sipas drejtoreshës Shala, u mundësua falë kontributit të qeverisë shqiptare, në veçanti të Kryeministrit Sali Berisha, që i dhuroi këtë kompleks sportit shqiptar, Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve që e mbështeti në rikonstruksionin e qendrës së mjekësisë dhe do ta mbështesë në realizimin e Qendrës Kombëtare të Sportit Shqiptar në një kompleks gjigand për të gjitha llojet e sportit, por edhe Ministrisë së Shëndetësisë për ndihmesën e vyer në çdo kohë dhe Qeverisë turke, që mundësoi pajisjet e kësaj qendre.