Lajme Shqip Tuesday, 22 November 2011 15:00

Kosinë (Përmet) – Për Prokurorinë e Përmetit, zhvarrimi i 69 eshtrave të Kosinës, nuk përbën vepër penale, përkundrazi dy të pandehurit Alqiviadh Kosta dhe At Vasil Thomollari, të akuzuar për “dhunim të varreve” u liruan nga akuza.

“Gjatë hetimeve rezultoi se mungon ana subjektive e kësaj vepre penale, duke marrë për bazë se qëllimi kryesor i zhvarrimit ka qenë jo “dhunimi i varreve”, por nxjerrja e eshtrave të ushtarëve grekë të rënë në këtë territor gjatë luftës italo-greke, në vitet 1940-1941″, thuhet në vendimit nr. 32, të Prokurorisë së Përmetit.

Dy ekspertët mjeko ligjorë, Sokrat Meksi dhe Fatos Harito, dokumentuan se midis eshtrave të ekzaminuara kishte eshtra të individëve të seksit femëror, fëmijësh, si dhe të moshuar.

“Dy të akuzuarit kanë pasur si qëllim të vetëm nxjerrjen e eshtrave të ushtarëve grek dhe jo dhunimin e varreve apo varreve të të parëve të këtij fshati, gjë e cila mbështetet dhe me mos kundërshtimin e këtyre gërmimeve nga banorët e këtij fshatit”, thuhet në vendimin e prokurorisë.

Në depotimin e tij, prifti i fshatit At Vasil Themollari, e ka justifikuar veprimin e tij, duke e argumentuar se “Ishte thërritur nga disa shtetas grekë, të panjohur për të, për të kryer proçesin fetar të trisajise (përshpirtjes), gjatë nxjerrjes së këtyre eshtrave”.

Ndërsa, Alqiviadh Kosta, është shprehur se “Ai nuk ishte në rolin e drejtuesit, por thjeshtë përkthyes i disa të afërmve (shtetas grek), që interesoheshin për eshtrat e të parëve të tyre, të rënë si dëshmorë gjatë luftës italo-greke, të cilët ishin varrosur në fshatin Kosinë”.

Gjatë hetimeve, sipas vendimit nr. 32, prokuroria e Përmetit nuk ka konstatuar dhunim varri, pasi, sipas organit të akuzës, në territorin ku është kryer zhvarrimi janë vendosur “kaq shumë individë”, madje, një pjesë e sipërfaqes është pushtuar nga vetë banorët e këtij fshati, duke vendosur mullarë bari e kasolle bagëtisë.

-FLET AVOKATI-

Avokati gjirokastrit Edmond Kore, thotë se për rastin e zhvarrimit të 69 eshtrave shekullore në fshatin Kosinë, është konsumuar vepra penale e “dhunimit të varreve”.

“Më e papranueshme është se kjo vepër penale, ka ndodhur brenda territorin të shtetit shqiptarë, duke shkelur hapur ligjet dhe mënjanuar respektimin e legjislacionit shqiptarë për kryerjen e veprimeve të tilla”, shprehet Kore.

Sipas tij,  hapja e një varri, pa qenë pjesëtarë, pasardhësi i të vdekurit dhe pa marrë lejen nga institucionet e autorizuara nga ligji, quhet dhunim varri. Kore argumenton se gjatë 20 viteve të fundit, në shtetin grek kanë vdekur me qindra emigrantë shqiptarë dhe trupat e tyre ndodhen në varrezat publike.

“Qeveria greke ka deklaruar se në Shqipëri kanë rënë në luftën italo-greke mbi 8000 ushtarë, por në fakt numri i tyre është tepër i vogël, nga çfarë thotë pala e interesuar,” thotë ai.

Hulumtimi është realizuar me mbështetjen e projektit “SCOOP” dhe Shoqatës Daneze të Gazetarëve Hulumtues.