Lajme Shqip Monday, 09 May 2011 14:25

Prishtinë – Panairi Ndërkombëtar i Librit “Prishtina 2011”, i cili u përmbyll mbrëmë, nuk ka qenë edhe shumë i kënaqshëm. Organizatorët thonë se shtëpitë botuese nuk janë ndarë të kënaqura për shkak të mungesës së hapësirave. Gjithashtu, nuk ka pasur shitje ashtu siç është pritur.

Organizatorët e panairit të librit në Prishtinë, thonë se janë të kënaqur sa i përket organizimit të panairit, por ka pasur shumë peripeci thonë ata. Ajo që i ka shqetësuar më shumë organizatorët dhe shtëpitë botuese, ishte mungesa e hapësirave.

Udhëheqësi i Unionit të Botuesve të Kosovës, Behxhet Bici, tha se disa shtëpi botuese nuk kanë qenë të kënaqura me hapësirën që iu është ndarë për të vendosur librat e tyre.

Nga panairi i sivjetmë i librit, edhe pse ka pasur shumë vizitorë, nuk pasur shitje, ashtu siç është pritur nga organizatorët.

Sipas Bicit, ka pasur shumë presione edhe nga shoqata e botuesve të Kosovës, por që janë tejkaluar, tha ai.

Në panairin e sivjetmë kanë marrë pjesë një numër i madh i shtëpive botuese nga Shqipëria, të cilët prezantuan tituj të rinj për lexuesit. Organizatorët thonë se gjatë këtij panairi janë prezantuar rreth 1 mijë tituj të rinj. Në këtë panair kanë marrë pjesë rreth 80 shtëpi botuese.