Lajme Shqip Friday, 02 December 2011 18:15

Tiranë – Aktiviteti fizik i vazhdueshëm, qoftë ky edhe i moderuar krijon përfitime të rëndësishme në shëndet, sidomos për fëmijët.

Përfitimet shëndetësore, sipas specialistes së promocionit Jeta Lakrori, përfshijnë ‘humorin e mirë’ dhe vetë-vlerësimin, gjendje të mirë fizike dhe reduktim të ndjeshëm të obezitetit, hipertensionit, sëmundjeve kardiovaskulare, diabetit jo insulino-vartës dhe osteoporozës, si dhe në pakësimin e barrës nga sëmundjet e shmangshme.

Vlerësimet për aktivitetin fizik janë shumë pozitive dhe ndikojnë në mënyrë të dobishme në shëndetin e fëmijëve sa herë që ato zhvillohen në mënyrë periodike dhe në mënyrë të përditshme. Por, në të kundërt të kësaj, mjekët vënë alarmin për ulje të aktivitetit fizik tek fëmijët dhe rritje të jetës sedentare.

Sipas mjekëve, kjo nuk lidhet vetëm për fëmijët, por për të gjithë shoqërinë. “Shoqëria shqiptare në përgjithësi ka një prirje të uljes së numrit të individëve fizikisht aktivë, gjë që përbën një problem në rritje për shëndetin publik, ashtu sikurse përbën edhe një shqetësim të vazhdueshëm për të gjitha strukturat shtetërore”, shprehen Ëngjell Mihali dhe Elizana Petrela në studimin e tyre mbi sjelljet shëndetshme në fëmijët e moshës shkollore.

Faktorët, sipas tyre, janë objektivë dhe subjektivë, një ndër të cilët mungesa e terrreneve sportive nëpër qëndrat e banuara dhe jeta sedentare.

Megjithatë, mjekët këshillojnë prindërit që t’i lejojnë fëmijët të luajnë në ambjentet e jashtme. “Ka një ‘tendencë të re’ të prindërve shqiptare që i ngarkojnë fëmijët me sa më shumë gjëra, duke i privuar njëkohësisht që të rriten si fëmijë me të drejtën e gëzimit të fëmijërisë së tyre.

Po kështu, ka fëmijë të tjerë, që nuk lejohen të dalin përjashta nga frika që kanë prindërit, pasi në ambjentin përreth ka një mbingarkesë të tillë me mjete të motorizuara dhe një trafik të tillë të pakontrolluar që i rrezikon nga aksidentet”, thonë mjekët, të cilët apelojnë për sa shumë aktivitet fizik, aq të domosdoshëm për mirërritjen e fëmijëve, por dhe për shëndetin e çdo moshe.