Lajme Shqip Tuesday, 06 December 2011 16:40

Tirane – Pema e Krishtlindjeve, e njohur në Shqipëri si Pema e Vitit të Ri (gjatë regjimit komunist u quajt pema e Vitit të Ri, për shkak të ndalimit të fesë), është një traditë që vjen nga kohët pagane, e mbërritur në epokën antike dhe mesjetare e në vazhdim, u asimilua edhe nga krishtërimi.

Ingeborg Weber-Keller, profesore etnologjie në Marburg, ka identifikuar, mes referimeve historike për këtë traditë, një shkrim të vitit 1570, sipas së cilit, pema dekorohej me mollë, arra dhe me lule prej letre. Qyteti i Rigas është mes atyre qyteteve, që cilësohet si një nga selitë e para të pemës së Krishtlindjes në histori.

Para kësaj shfaqjeje “zyrtare” të pemës gjendet edhe një lojë fetare mesjetare, e cila kremtohej në Gjermani më 24 dhjetor; ajo quhej “loja e Adamit dhe Evës”. Në atë kohë sheshet dhe kishat mbusheshin plot me pemë frutore, si simbole të begatisë, për të rikrijuar imazhin e parajsës.

Më pas, këto pemë frutore u zëvendësuan me bredhin, pasi kjo pemë ka një domethënie më magjike për popullin. Bredhi ka mbi të gjitha dhuntinë e të qenit përherë i gjelbër, dhunti që, sipas traditës, i jepet pikërisht nga Jezusi, si falënderim që kjo pemë e mbrojti, kur ndiqej nga armiqtë.

Ndërsa përdorimi i qirinjve në rrënjët e bredhit nisi në shek. XVIII-të. Për shumë kohë, tradita e përdorimit të bredhit mbeti tipike për krahinat veriore mbi lumin Ren. Katolikët e konsideronin si një traditë protestante. Ishin zyrtarët prusianë, që pas Kongresit të Vjenës, e përhapën këtë traditë në vitet pasardhëse.

Në Vjenë, pema e Krishtlindjes u shfaq në vitin 1816, me kërkesë të princeshës Henrietta von Nassau-Weilburg, dhe në Francë më 1840, nga dukesha e Orleans-it.

Në fillim të viteve 1900 pema e Krishtlindjes njohu një sukses më të madh, duke  hyrë gradualisht në të gjitha shtëpitë, si dhe duke u kthyer në simbolin më të përhapur në nivel planetar.

Edhe në Shqipëri, Pema e Krishtlindjeve, 14 metra e gjatë, ndriçoi dje në mbrëmje, me mijëra drita qendrën e Tiranës, duke sjellë atmosferën festave të fundvitit. Mes dritash, lodrash, borës së improvizuar, ngjyrave, muzikës dhe entuziazmit të fëmijëve, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, çeli kremtimin e festave me ndezjen e dritave të pemës së madhe të Krishtlindjeve, vendosur në Sheshin ‘Skëndërbej”.