Lajme Shqip Monday, 07 November 2011 15:55

TIRANË – Edicioni i 7-të i “Giffoni Shqipëria” e ka ngritur siparin në qytetin e Shkodrës, ku për tri ditë, 31 tetor-2 nëntor, u shfaqën në kinema “Millenium” të qytetit produksionet më të suksesshme të realizuara dy vitet e fundit.

Në program janë 6 filma, tre për secilën kategori, prodhime të huaja, të cilat rrahin probleme sociale të ndryshme, duke filluar që nga integrimi në shoqëri, problemet e racizmit, por edhe duke sjellë aventura të bukura për të rinjtë. Pas Shkodrës, në datat 3-4  nëntor, filmat u shfaqen në teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit.

Ndryshe nga vitet e shkuara, këtë edicion juria është ndryshe. Në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme të qytetit janë zgjedhur 400 nxënës, 200 për secilën kategori “Free to Fly” (mbi 13 vjeç) dhe “Y Generation” (mbi 16 vjeç), të cilët do të ndjekin të gjithë filmat që do të shfaqen. Do të jenë ata që në fund do të votojnë për filmat më të mirë, duke mos e lënë kështu verdiktin vetëm në jurinë e Tiranës, por duke ia bashkangjitur votimeve që bëhen në Shkodër dhe Durrës.

Përveç projeksionit të filmave dhe votimit të jurisë, finalja e “Giffoni Shqipëria” në 11 nëntor në Tiranë do të sjell një risi. Gjatë vizitës në Tiranë të Claudio Gubitosi, drejtori artistik dhe themeluesi i “Giffoni Film Festival” shpalli konkursin për regjisorët e rinj.

Tre filma me metrazh të shkurtër, një vështrim mbi çdo aspekt të jetës shqiptare do të realizohen gjatë ditëve të festivalit. Realizim, montim dhe shfaqje në natën finale të “Giffonit”. Fituesit do të marrin pjesë në një masterclass që do të zhvillohet në Itali në korrikun e vitit të ardhshëm, që shënon edicionin e 42-të të Giffoni Film Festival.

“Giffoni Shqipëria” është pjesë e degëve ndërkombëtare të festivalit “Giffoni Film Festival”. Që nga viti 1997  deri në këtë edicion, rreth 350 të rinj dhe fëmijë shqiptarë kanë marrë pjesë në jurinë e Giffonit në Itali, që zhvillohet çdo korrik.