Lajme Shqip Thursday, 08 December 2011 18:30

Tiranë – Parku i Alpeve është planifikuar për të marrë një status të veçantë mbrojtjeje, ndërkohë strukturat përkatëse, të mbështetura nga Organizata Hollandeze për Zhvillim, SNV, po punojnë për realizimin e këtij projekti.

Gjatë një takimi të sotëm në Hotel Sheraton u diskutua mbi ecurinë e deritanishme të këtyre hapave, si dhe sfidat e zhvillimit rural, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me zhvillimin e zonave malore me trashëgimi të pasur natyrore dhe kulturore si zona e Bjeshkëve të Namuna.

Drejtori i Biodiversitetit në Ministrinë e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave, Sajmir Hoxha, tha se “në takim u diskutuan disa rezultate të projektit që u zbatuan në zonën e Alpeve, ndërsa do të vijohet më tej deri në shpalljen e saj ‘Zonë e Mbrojtur’, që do të jetë e para në Shqipëri me një rëndësi të tillë, në bashkëpunim me Malin e Zi dhe Kosovën”.

Sipas tij, zona është parashikuar të marrë status të veçantë mbrojtjeve në bazë të prioriteteve të ka MMPAU, por edhe në aspektin e integrimit evropian si zonë me rëndësi për natyrën dhe biodiversitetin.

“Është krijuar një platformë e mirë ku mund të ecet më tej. Në vitin 2012 dhe 2013 do të punohet në zonë për të plotësuar paketën e dokumentacionit, për të marrë statusin e veçantë, nga e cila do të burojnë dhe aktivitete miqësore me mjedisin, turistike, sportiv”, nënvizoi ai.