Lajme Shqip Saturday, 12 November 2011 21:00

Tiranë – Panairi i Librit “Tirana 2011” ka shpallur sot fituesit e edicionit të 14-të, ku autorja më e mirë është vlerësuar Helena Kadare për librin “Kohë e pamjaftueshme”.

“Për elegancë në shkrim dhe emocionet e thella që e kapërcejnë objektin e rrëfimit. Jo një jetë e rrëfyer, por rrëfimi i Jetës”, thuhet në motivacionin e çmimit.

Në rreth 700 faqe botim, rrëfehet historia personale e autores me të shoqin, Ismail Kadare, por bashkë me këto ndodhi shfaqen për lexuesin ngjarjet politike, sociale, fakte kurioze mbi jetën e Kadareve në diktaturë dhe post saj.

“Kohë e pamjaftueshme”, libri që ka ngjallur shumë debate në vend, zbulon fatin e një çifti të pazakontë, në këtë rrëfim të mbushur plot ngjarje që dalin dhe e kapërcejnë të zakonshmen.

Përkthyesi i vitit u shpall Shpëtim Çuçka, për përkthimin e “Historia e bukurisë” të Umberto Ecos, me motivacionin “Për vlerat e sjelljes në shqip, me cilësi e thellësi, të njërës prej veprave të rëndësishme të letrave bashkëkohore botërore”.

Revista “Grupsat” e shtëpisë botuese “Albas” u vlerësuar si libri i vitit për fëmijë me motivacionin “Për vlerat edukative, enciklopedike, estetike dhe argëtuese në formimin e shijeve te lexuesi i vogël”.

Juria e panairit me anëtarë Mirela Kumbaron, Pëllumb Xhufin, Arta Markun, Dhurata Shehrin, Xhevat Beqarajn, akordoi dhe çmimin e veçantë të jurisë, që e tërhoqi poeti Muhamet Ademi për librin “Lirika e fijes së barit”, me motivacionin “Për personalitetin kompleks të një poeti të panjohur, që na sjell vlerat e një letërsie e cila mbijetoi edhe pa lexues”.

Një çmim tjetër ishte edhe ai stendës me paraqitjen më të mirë grafike, që iu dha shtëpisë botuese “Pegi”.

Panairi i Librit “Tirana 2011″” u çel në 9 nëntor në Pallatin e Kongreseve, ku gjatë tre ditëve të para të tij interesi ka qënë shumë i lartë. Radhë të gjata ka pasur në stendat e botimeve të Ben Blushit për librin “Shqipëria”, Edi Ramës për librin “Kurban” dhe Blendi Fevziut për librin “Enver Hoxha”.

Panairi i Librit do të qëndojë i hapur edhe ditën e nesërme.