Lajme Shqip Friday, 07 October 2011 12:56

Tiranë – Pasi Akademia e Filmit “Oscar” ka kthyer mbrapsht konkurimin e filmit “Falja e Gjakut”, bordi i Qendrës Kombëtare Kinematografike ka përzgjedhur sot për të përfaqësuar Shqipërinë filmin “Amnistia”.

Drejtori i QKK-së, Artan Minarolli, në një prononcim për ATSH-në, tha se për të mos lënë Shqipërinë pa përfaqësim u vendos që të konkuroj filmi “Amnistia” i Bujar Alimanit. “Për nga kualiteti bordi përzgjodhi “Faljen e gjakut”, por pas kthimit të vendimit nga Akademia “Oscar”, duke patur parasysh përfaqësimin e mirë internacional të filmit “Amnistia” dhe pritjen e mirë nga publiku, ne zgjodhëm këtë të fundit”, tha Minarolli.

Pasi bordi i Akademisë “Oscar” ktheu filmin shqiptar, data 10 tetor u caktua afati i fundit që Shqipëria të propozojë një film tjetër për të konkuruar në “Foreign Language Film Aëard”, ku “Amnistia” u përzgjodh mes filmit “Maya” të Pluton Vasit dhe “Ballkan Pazar” të Edmond Budinës.

Sipas Artan Minarollit çështjet e kritereve të tyre ishin të dyshimta, por një nga arsyet kryesore që u kthye mbrapsht “Falja e gjakut” është regjisori i huaj. “Por, suksesit nuk i dihet asnjëherë”, tha Minarolli.

Pas përzgjedhjes së filmit “Falja e gjakut”, regjisori Alimani reagoi menjëherë, duke dërguar një letër drejtuar Akademisë së Filmit “Oscar” pasi, sipas tij, ky film nuk plotësonte kriteret kryesore si produksioni, regjia, skenaristi shqiptar.

“Amnistia” i Bujar Alimanit, premierë në Tiranë në maj të këtij viti, është shfaqur për herë të parë në Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Berlin dhe ka tërhequr disa çmime. Filmi i parë me metrazh të gjatë i Alimanit nisjen e merr nga një ngjarje reale ku tregon historinë e një burri dhe një gruaje të cilët takohen një ditë gjatë rrjedhës së jetës së tyre të mërzitshme. Ata dashurohen ndërsa dy bashkëshortët e tyre të dënuar në burg presin të marrin amnistinë. Protagonistë janë aktorët: Luli Bitri, Karafil Shena, Todi Llupi, Mirela Naska, Omer Hamitaj, Orest Arapaj etj.

“Amnistia” ka fituar edhe tre çmime  në Leçe si: Çmimi CINEUROPA 2011, Çmimi FIPRESCI, Çmimi special i jurisë gjithashtu ka marrë pjesë në Festivalin Ndërkombëtar në Kopenhagen, Danimarkë.

Në 22 tetor bordi i QKK-së me antarë: Teodor Laçon, Esat Musliun, Bujar Lakon, Agron Tufën dhe Durim Nezirin, përzgjodhën filmin “Falja e gjakut” për të konkuruar në “Oscar” me motivacionin se filmi është tërësisht në gjuhën shqipe, është xhiruar tërësisht në Shqipëri dhe aktorët janë të gjithë shqiptarë.

Që prej vitit 1996 katër filma shqiptarë kanë aplikuar për  “Academy of Motion Pictures, Arts and Sciences”, por asnjëri nuk është nominuar për “Oscar”.