Lajme Shqip Sunday, 16 August 2015 20:44

Ngjarja më e madhe kulturore në vend po përcjell problemin më të madh që kanë qytetarët e Kosovës aktualisht, lëvizjen e lirë.

Me qëllim që të bashkëndjehet me të prekurit nga migrimi, “Dokufest” po paraqet program special të filmave, ekspozitë të fotografisë e diskutime për migrimin.

“Ne përdorëm temën e migrimit edhe për ta bërë sa më të qartë situatën në të cilën ndodhemi. Ne jemi në një izolim të jashtëzakonshëm”, thotë Nurkollari.

Nëse do të kishin mundësi të lëviznim lirshëm, ndoshta vala e migrimit nuk do të ishte kaq e madhe. Kosovarët ndjejnë se ky izolim po iu bëhet padrejtësisht.

Duke i pajisur me viza të gjithë ata që vijnë nga vendet në të cilat kosovarët nuk mund të lëvizin lirshëm, Nurkollari thotë se kanë bërë për të sensibilizuar të gjithë aty, për nevojën që kanë kosovarët për liberalizim të vizave. Megjithatë, gjendja në të cilën është Kosova nuk e ndalon të bëjë bujë me organizimet kulturore.

Sivjet, ngjarja më e madhe kulturore, Dokufest erdhi më mirë i përgatitur sesa herëve tjera. Janë shfaqur 237 filma nga 56 vende të botës në 6 programe garuese.

Nurkollari thotë se përveç që kanë arritur atë që kanë pritur, në disa raste edhe e kanë tejkaluar atë.

Kinemaja e re, atmosfera, numri i madh i njerëzve nëpër kinema, përmirësim i organizimit mjaftë i madh krahasuar me vitet e kaluara, temat e trajtuara, janë disa nga veçoritë e këtij edicioni.

Përveç interesimit të madh për filma, as ai për pjesëmarrje në panele nuk po mungon. E as interesimi i mediave nuk po mungon. Janë mbi 100 përfaqësues të mediave të ndryshme, vendore e ndërkombëtare.

Drejtori i festivalit e konsideron këtë edicion si më të mirin.

“Deri sot mendoj që ky është edicioni më i mirë i Dokufestit, më mirë i organizuar. Kemi vlerësime e dëshmi nga njerëz që janë kompetent”, thotë ai.

Qyteti i Prizrenit ka marrë pamje mbresëlënëse. Numër i madh i njerëzve shihet kudo. Interesimi për DokuFest po del të jetë mjaft i madh.