Lajme Shqip Wednesday, 01 August 2012 15:27

Tiranë – Violinisti Olen Çezari e ka nisur nga kryeqyteti turin e tij në sheshet e Shqipërisë, ku përmes interpretimit të tij do të sjellë këngë të krijuara në vende të ndryshme të botës, duke sjellë kështu copëza nga kultura të ndryshme.

“Jam shumë i lumtur që m’u dha rasti të zhvilloj këtë tur nëpër sheshet e Shqipërisë, çka e prisja prej vitesh. Kërkova që ta zhvilloja këtë tur nëpër sheshe, sepse aty njerëzit e thjeshtë kanë mundësi të jetojnë spektaklin e ta shijojnë pa menduar sa kushton bileta në Teatrin e Operës apo diku tjetër”, tha Çezari në konferencën për shtyp që prezantoi programin e tij me tinguj që nga kalinka ruse, tek sambat braziliane, deri te burimet e Përmetit.

Kjo është hera e parë që një artist shqiptar i njohur në botë zhvillon performancën e tij në sheshe të hapura, falas, për publikun e gjërë. “Kisha kohë që e prisja momentin që të luaja për njerëzit e thjeshtë, për të gjithë ata që nuk duhet të mendojnë për çmimin e biletës”, tha ai. Turi nisi mbrëmjen e djeshme në një nga rrugët e Bllokut në Tiranë për të vazhduar edhe në qytete të tjera si Durrësi, Vlora, Shkodra që presin pushues shqiptarë dhe të huaj e që mund të shijojnë live performancën e Çezarit, i konsideruar si Paganini i ri.

Violinisti është larguar nga Shqipëria kur ishte 13 vjeç, me një bursë studimi të rrallë për kohën. Në moshën 10 vjeçare hyri në Akademinë e Arteve dhe fitoi konkursin e instrumentistit më të mirë në Shqipëri. Albumi i parë i tij, i dalë në nëntor të vitit të kaluar pas shumë vitesh punë, përmban 13 këngë nga 13 vënde, duke filluar nga Argjentina e deri në Austri, ku përfshihet edhe Shqipëria me këngën “A kanë ujë ato burime”, kënduar nga Elsa Lila. Pjesët e përfshira në këtë album do të interpretohen në turin që ai nisi dje në Tiranë.

Kritika e ka ciluar si “Paganini i ri” dhe për të arritur deri këtu Olen Çezarit i janë dashur sakrifica të mëdha, duke filluar që nga sigurimi i jetës si emigrant në Itali. Diplomohet në Itali që në moshën 17 vjeçare, duke u bërë i diplomuari më i ri në violinë në historinë e konservatorit roman dhe më pas shkon për studime në Austri dhe  SHBA. (LajmeShqip.com)