Lajme Shqip Sunday, 28 October 2012 14:57

Prishtinë- Emri i Nënës Terezë i është vënë edhe një sheshi, kësaj radhe në kryeqytetin hungarez. Bashkë me emërtimin e sheshit, në distriktin XII të Budapestit është vënë edhe një shtatore e saj. Zbulimin e kanë bërë bashkë, zonja e parë e Hungarisë Anita Herczegh dhe Liri Berisha, bashkëshorte e kryeministrit shqiptar, Sali Berisha, njëherësh themeluese e fondacionit kulturor “Nënë Tereza”.

Mediat shqiptare njoftuan se gjatë fjalës së saj, Liri Berisha ka sjellë para të pranishmëve momente të rëndësishme të marrëdhënies së Nënë Terezës me Shqipërinë, të cilin pavarësisht qëndrimit të diktaturës komuniste, nuk e harroi dhe as nuk e braktisi asnjëherë. Ceremonia u përshëndet edhe nga Nunsi Apostolik i Vatikanit, i cili bëri një përshkrim të jetës së Nënë Terezës, si dhe nderoi figurën e humanistes për veprën e saj.

Prej aty, Berisha dhe Herczegh kanë vizituar qendrën e misionareve të Nënë Terezës në Budapest, që kujdesen për ndihmë ndaj njerëzve në nevojë.

Ceremonia është përmbyllur me një meshë që u organizua për nder të nobelistes shqiptare, në Bazilikën e Budapestit nga Nunsi Apostolik i Vatikanit, Kryepeshkopi Alberto Bottari de Castello dhe nga Kardinali i Hungarisë Peter Erdo. Ngjarja është organizuar për nder të përvjetorit të Lumturimit të Nënë Terezës.(LajmeShqip.com)