Lajme Shqip Monday, 20 February 2012 11:30

Tiranë – Nis punën Komisioni për ndërtimin e xhamisë së madhe të Tiranës.
Në fjalën e tij, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, kërkoi që brenda muajit mars të përmbyllet faza e konsultimeve, diskutimeve dhe e vendimmarrjes, për çështjet e shtruara për diskutim. Ai shprehu vullnetin e Bashkisë së Tiranës për ta përfunduar sa më parë këtë vepër që i mungon Tiranës dhe për t`u dhënë besimtarëve një vend të denjë, për të kryer ritet e tyre fetare.

“Tirana është kryeqendra e vendit. Modeli i bashkëjetesës fetare është modeli të cilin Tirana e ka rrezatuar, në shekujt e ekzistencës së vet dhe e rrezaton edhe sot, ku kemi parë në dekadën e fundit, ngritjen e Katedrales së Shën Palit, po përfundon Kisha Ortodokse dhe dje qeveria dha mbështetjen e plotë për përfundimin brenda këtij viti të 100-vjetorit të Pavarësisë, edhe të Tempullit të Kryegjyshatës, për të cilën edhe Bashkia do të japë ndihmën e vet modeste, ndërkohë koha ka ardhur dhe ka kaluar, që edhe Xhamia e Madhe, të jetë një realitet në Tiranë dhe që t`i japim fund problemit të përvitshëm, për të cilin fatkeqësisht nuk ka pasur zgjidhje në këtë dekadë, të besimtarëve që dalin në rrugë, për ditët e festive”, ka shtuar Basha.

Kryetari i Komunitetit Mysliman, Haxhi Selim Muça, shprehu kënaqësinë, që më së fundi nisi funksionimin një komision, në të cilin do të diskutohet dhe vendoset për ndërtimin e Xhamisë së Madhe të Tiranës.

“Unë dua t`ju them së pari se jam shumë, shumë i kënaqur, që më në fund u arrit të ngrihet një komision i tillë, për të biseduar e marrë disa vendime lidhur me ndërtimin e Xhamisë së Madhe, që ne e kërkojmë, ka kaq vjet, por asnjëherë nuk u mblodh një komision i tillë, që ta ketë me gjithë shpirt, që të ketë mirësinë e nevojës për një Xhami të tillë të madhe dhe ju faleminderit të gjithëve, sidomos komisionit të Bashkisë, sepse komisioni i Bashkisë është si të thuash, një komision epror, që do të marrë pjesë në të gjithë punimet, në të gjithë debatet që do të bëhen, por që do të jetë edhe më vendimtar se sa të tjerët”, theksoi Muça.

Në mbledhjen e komisionit u vendos ngritja e një grupi pune, i cili do të përgatisë propozimet për vendimmarrjen në Komision, të cilat përfshijnë propozimin për vendin ku do të ngrihet Xhamia e Re, se si do të veprohet për projektin e Xhamisë, nëse do të përcaktohet një arkitekt për të bërë një projekt të ri dhe për aprovimin e termave të referencës.