Lajme Shqip Monday, 11 April 2011 10:05

Durrës – Aktorët e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit kanë vënë në skenë “Kush do të bëhet milionarius”, një pjesë e shkruar nga autori bullgar, Hristo Boytchev me regji të Driada Dervishi.

Në tre mbrëmje radhazi spektatorë të shumtë kanë ndjekur premierën, e cila është trajtuar si një shfaqje mes komedisë dhe dramës, kryesisht për mesazhin aktual që mbart.

Gjithçka është ndërtuar në dhomën e një familje që papritur është fituese e një shume marramendëse parash.

“Dhurata”, e cila u prish mendjen njerëzve, ka mbërritur nga një kohë tjetër, mes katakombeve të perandorisë romake. Personazhët janë katër muzikantë që mezi ia dalin të kalojnë fundin e muajit, të cilëve papritur u jepet mundësia të bëhen milionerë. Ata i marrin paratë, por çfarë ndodh nëse marrin më shumë nga ç’e kanë menduar ndonjëherë?

Me një fabul, sa absurde dhe realiste aktorët Sanie Hoti, Roland Koça, Mimoza Marjanaku, Marvin Tafaj dhe Andia Xhunga janë përpjekur të ngjallin në sallë jo vetëm humorin dhe sarkazmën që sjell teksti, por të krijojnë nën drejtimin e regjisores Dervishi një mesazh të drejtpërdrejtë për kohën ku jetojmë.

Autori 61-vjeçar Hristo Boytchev është një nga emrat e njohur të dramaturgjisë evropiane. Kjo është premiera e pestë në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” që nga fillimi i stinës artistike 2010-2011, çka përbën një nga sezonet më të frytshme në institucionin kulturor të qytetit bregdetar.