Lajme Shqip Wednesday, 06 April 2011 13:00

Berlin – Një koleksion me letra të shkrimtarit të njohur gjerman, Franc Kafka, do të blihet nga Biblioteka “Bodleian” e Universitetit të Oksfordit dhe Departamenti i Letërsisë Arkivore në Gjermani Marbach.

Letrat përfshijnë një korrespodencë të gjatë që Kafka ka mbajtur me motrën e vet, Ottla, më e vogla nga tri motrat e shkrimtarit me nam dhe më e lidhura me shkrimtarin. Në këtë koleksion nuk mungojnë as letrat e dashurisë me Dora Diaman (e quajtur si historia e tij e fundit e dashurisë), njashtu si edhe letrat e mjekut dhe mikut të tij Robert Klopstol.

“Bodleian” dhe “Marbach” kanë negociuar për një marrëveshje për blerjen e këtyre letërkëmbimeve me familjen e shkrimtarit, ku ndër të tjera përfshihen dhe kartolina dhe autografe të ndryshme dhe foto të pabublikuara më parë.

Familja e shkrimtarit me nam ka planifikuar që këto letra t’i nxjerrë në ankand në Gjermani më 19 prill. Marrëveshja mes këtyre dy institucioneve nga dy vende të ndryshme mendohet të jetë e para e këtij lloj. Kafka konsiderohet si një nga shkrimtarët më me ndikim i shekullit XX, ndaj dhe këto letra do të zbulojnë detaje më shumë mbi jetën e shkrimtarit. Letrat me Ottlën, përfshijnë dhe betejën e tij të gjatë me tuberkulozin. Ndërsa letrat me Dorën, janë konsideruar nga studiuesit si një letërsi më vete.