Lajme Shqip Tuesday, 25 September 2012 15:13

Prishtinë – Në kuadër të Ditëve të Trashëgimisë kulturore Evropiane, në sheshin “Nënë Terezë” në kryeqytet, është hapur panairi i Artizanaleve të Kosovës. Rreth 80 pjesëmarrës kanë ekspozuar punime që pasqyrojnë vlera të ndryshme kulturore të Kosovës. Kryetari i komunës së Prishtinës, Isa Mustafa tha se komuna do të përkrahë vazhdimisht panairet e tilla, me të cilat synojnë integrimin në Evropë.  “ Vetë fakti që bashkë me KE-në dhe mbështetjen e tyre po vazhdojmë që të jemi pjesë e aktiveve evropiane, flet që kemi pjesëtarë të aftë, subjekte të përgatitura që të integrohemi ne Evropë, përmes vlerave që ne do të eksportojmë, vlerave me të cilat ne do të hymë në Bashkimin Evropian”.

Nazmije Grajqefci, e cila kishte këndin e saj në këtë panair,  thotë se nuk është e mjaftueshme vetëm një herë në vit të ketë një panair. Ajo kërkon hapësirë më të madhe për të ekspozuar artizanalet e saj.

Belgjyzare Muharremi, drejtoreshë e qendrës së gruas “Dera e Hapur”  fton të gjithë qytetarët që të vizitojnë këtë panair, ku do të gjejnë vlera të mirëfillta kulturore. Panairi i Artizanaleve të Kosovës, do të jetë i hapur tri ditë. Kosova është shteti i 49 që ka marrë pëlqimin nga Komisioni Evropian për organizimin e një panairi të tillë, në të cilin forcohen lidhjet ndërkulturore në mes të vendeve të ndryshme të Evropës. (LajmeShqip.com)