Lajme Shqip Tuesday, 22 November 2011 11:00

Shkup – Në Maqedoni kanë nisur manifestimet për shënimin e festave të Nëntorit, duke filluar me Ditën e Alfabetit të gjuhës shqipe, 22 nëntorit.

Kjo datë shënon një festë zyrtare shtetërore për shqiptarët e Maqedonisë, Dita e Kongresit të Alfabetit. Për shkak të kësaj feste, në Maqedoni sot është ditë jopune për shqiptarët.

Me rastin e këtij përvjetori, gjegjësisht 103 vjetorit të Kongresit të Alfabetit, janë organizuar disa aktivitete të ndara dhe simbolike lidhur me shënimin e kësaj date si në Manastir, Shkup, Tetovë, Gostivar, Dibër, etj.

Në këtë përvjetor nuk ka pasur manifestim qendror, organizuar nën patronazhin e autoriteteve shtetërore.

“Marshi drejt Manastirit” ka qenë një nga ngjarjet spektakolare e këtij përvjetori, ku një grup studentësh dhe të rinjsh shqiptarë nga Maqedonia, Kosova, Shqipëria dhe trevat e tjera marshuan nga Shkupi, Tetova, Prishtina, Tirana dhe qytetet tjera në marshin e organizuar drejt Manastirit.

Në Manastir u shënua kjo festë me një koncert solemn organizuar nga shoqëria “Estrada”; u organizua një ceremoni në Muzeun e Alfabetit me praninë e zëvendëskryeministrit Musa Xhaferi dhe zëvendësministrit të Arsimit, Safet Neziri dhe personaliteteve të tjera qeveritare.

Në Institutin e Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve në Shkup, sot organizohen pritje dhe ceremoni për diplomatët, krerët e bashkësive fetare dhe personalitete të tjera.

Mesazhe urimi me rastin e kësaj feste kanë drejtuar presidenti, kryeministri dhe personalitete të tjera të politikës dhe jetës shoqërore. Në Manastir ka qëndruar edhe lideri i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu.

Kjo festë është paralajmëruar të jetë tradicionale dhe që të marrë sa më shumë jehonë në mbarë trevat shqiptare.

Prej 14 – 22 nëntor 1908, në Manastir u arrit unifikimi i alfabetit të parë të gjuhës shqipe me shkronja latine, një projekt gjithëkombëtar që kishte tubuar në Manastir të gjitha personalitetet e mirënjohura të letërsisë dhe kulturës shqiptare.