Lajme Shqip Friday, 18 September 2015 09:24

Një ëndërr nuk bëhet realitet me anë të magjisë, por kërkon dashuri dhe përkushtim të jashtëzakonshëm në punë. Një përkushtim të tillë ka edhe artisti i ri Faton Mazreku, i cili sot hap ekspozitën e parë personale “Përballja me realitetin” në Galerinë e Ministrisë së Kulturës (QAFA).

Mazreku përmes tablove të tij tregon “realitetin dhe përditshmërinë të cilën njerëzit vet e krijojnë”. Ai përmes elementeve ritmike të njerëzve që ecin i jep pikturës së tij një ton poetik dhe human.

Në një intervistë për Koha.net artisti është shprehur se inspirimi për krijimin e këtyre veprave artistike është nga gjërat e përditshme që e rrethojnë.

“Krijimtaria e pjesës dërrmuese të artistëve të mëdhenj është një lloj autobiografie, që do të thotë se kanë krijuar ato që i ka rrethuar. Prandaj edhe unë kam pikturuar atë e cila më rrethon dhe e shoh para meje”, është shprehur Mazreku.

I diplomuar në Akademinë e Arteve në Prishtinë, 25 vjeçari, për këtë ekspozitë ka punuar rreth dy vjet.

Të gjitha pikturat janë të krijuara në teknikën e vajit në pëlhurë, kurse për këtë ekspozitë ai është shprehur shumë i lumtur, sidomos që është hera e parë që veprat e tij shfaqen para publikut.

“Është një përvojë e veçantë për mua, sepse për herë të parë dal para publikut dhe është kënaqësi që t’i dëgjoj opinionet e tyre për pikturën time, të mira apo jo të mira që do të jenë”, është shprehur Mazreku për Koha.net.

I pyetur nga Koha.net se cila është këshilla e tij për artistët e rinj, ai ka thënë se është puna e pandalshme që do sjell suksesin.

“Vet jam i ri dhe përfshihem me ta, por gjëja kryesore është puna, sido që të jetë ajo”, ka thënë artisti që sapo ka filluar të ndërtojë karrierën e tij.

Më tutje Mazreku ka folur edhe për planet e tij për të ardhmen, për të cilën ka thënë se do të vazhdojë të punojë edhe më tepër në mënyrë që të zhvillojë pikturën e tij.

 “Do të mundohem të jem produktiv me pikturën time. Të pasuroj edhe më shumë krijimtarinë time drejt inovacionit”, ka thënë Mazreku për Koha.net.

Ekspozita që është hapur sot në ora 19:00, do të jetë e hapur për një muaj në Galerinë e Ministrisë së Kulturës (QAFA).