Lajme Shqip Wednesday, 13 April 2011 09:13

Prishtinë – Dita e nesërme do të frymojë shqip në Dubrovnik të Kroacisë. Gjashtë filmat e shkurtër nga Kosova do të kenë ditën e tyre në festivalin e filmit “Libertas”, i cili zyrtarisht ka filluar dje. Përzgjedhësi i filmave nga Kosova, Samir Karahoda dhe regjisori i filmit “Banka”, Jeton Budima, janë të ftuarit e festivalit. Për të dy këta kjo ftesë është shumë e rëndësishme për bashkëpunim rajonal.

Për Budimën ftesa nga “Libertas” është legjitimitet për kinematografinë kosovare që sipas tij zhvillohet e izoluar dhe në margjina. Për të, pjesëmarrja e kinematografisë kosovare në këtë festival është një pluralizëm idesh dhe me një mentalitet kozmopolit.

“Festivalet e filmit janë mostra të rëndësishme për difuzionin e kulturës kinematografike pavarësisht nga profili”, ka thënë Budima. “Banka” që flet për një person që tenton të vjedhë bankën për të përmbushur egon e një vajze që jeton me të, sipas Budimës është një miks në mes të filmit të luajtur dhe animacionit.

“Kjo do t’u duket interesant shikuesve kroatë”, thotë Budima. Filmi i Budimës do të jetë njëri nga gjashtë filmat nga Kosova që do të shfaqen nesër në orën 19:00. Kinematografia kosovare do të ketë një përballje me dhjetë filma nga Zvicra që do të shfaqen të enjten. “Kosova 9/11” me regji të Burbuqe Berishës, “In Memoriam”, i Ilirian Himajt, “Hekurishtja” e Burim Halitit, “Tri dritare” me regji të Faton Bajraktarit, “Banka” e Jeton Budimës dhe “OK” me regji të Blerta Zeqirit nga Kosova dhe “On the Line” me regji të Reto Caffi, “It me Helmut” nga Nicolas Steiner, “Rene”, “Manfred”, “Sleep” nga Zvicra, do të shfaqen në një program special në kuadër të edicionit të shtatë të festivalit të filmit “Libertas”. “Kosovo vs. Sëitzerland” është pagëzuar ky program.

Por para se filmat të shfaqen, sot paradite mbahet një konferencë për media, ku do të paraqiten filmat kosovarë. Atë do ta drejtojë seleksionuesi i filmave, Samir Karahoda, njëherësh përpilues i programit për filma të shkurtër në “Dokufest”. Ai ka thënë se shpreson për një përballje dinjitoze mes Kosovës dhe Zvicrës.

Festivali i filmit “Libertas” këtë vit do të ketë një program kualitativ me pjesëmarrjen e shtatë vendeve evropiane. Përpos Kosovës edhe Zvicrës në këtë festival do të prezantohen edhe filmat nga Kroacia e Sllovakia. Edhe Shqipëria do të prezantohet me filmin e regjisorit Gjergj Gjuvani “Lindje, Perëndim, Lindje”. Në këtë edicion do të shfaqen edhe filma të nominuar për Oskar, si “Simple Simon” nga Suedia, “The Border” nga Sllovakia, “To die like a man” nga Portugalia dhe filma nga Austria.