Lajme Shqip Monday, 21 March 2011 14:39

Vlorë – Leka Kruta, një nga emrat më të njohur të skenës e të humorit në qytetin e Vlorës, ndërroi jetë gjatë orëve të natës së djeshme në moshën 84-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë.
Kruta është cilësuar ndryshe, legjenda e humorit vlonjat e atij shqiptar. Në aktivitetin e tij më se 40 vjeçar, numërohen 150 premiera dhe 800 personazhe. Historia e Trupës së Estradës Profesioniste të Vlorës, është e lidhur ngushtë me Krutën, i cili, krahas aktorëve të tjerë të njohur si, Myqerrem Ferra, Qiriako Sava etj, kanë krijuar një galeri të tërë personazhesh dhe një arkivë të jashtëzakonshme temash. 
Jeta artistike e Leka Krutës, ka nisur në vitin 1944, kur, ai së bashku me Gaq Vishin (regjisor i Estradës së Vlorës, për shumë vite), jepnin shfaqje për qytetarët në sallën e Kinema “Ali Demi”, në pushim të pjesëve të filmit. Ai vazhdoi të luante si aktor amator në trupën e Estradës së qytetit dhe prej vitit 1955, kur u krijua trupa profesioniste, u bë pjesëtar i saj. Përvijimi i mjaft roleve dhe personazheve, lidhej me jetën e përditshme. Berberi, ishte një nga pantomimat më të mira, që ka vënë në skenë dhe që u shfaq më shumë se 200 herë në të gjitha sallat e Shqipërisë.  
Në vitet ’70-të të shekullit të kaluar, ai realizon edhe skeçin “Zenepja”, kur, së bashku me Myqerrem Ferrën dhe Agron Hamon, bëhen protagonistë të disa skenave, që ndodhnin përditë me ata bojaxhinj, që përpara se të bënin punën “kërkonin të hanin dhe të pinin”, në ato familje ku shkonin për të kryer një shërbim.
Interpretimi i diktatorit fashist Hitleri, apo i ushtarit italian, janë pritur mjaft mirë nga artdashësit, ndërkohë që së bashku me trupën e Estradës ka zhvilluar turne në qytete të ndryshme të vendit.
Krahas roleve të tij me trupën e Estradës, Leka Kruta ka interpretuar edhe në një numër filmash artistikë, ku personaliteti i tij është i spikatur. 
Rreth një muaj më parë, në sallën e Teatrit “Petro Marko” u shfaq dokumentari “Me Artistin Leka Kruta”, një realizim i Genci Resulit, ku pasqyrohej jeta artistike e Krutës.   
Për vlerat e tij në krijimtarinë artistike më shumë se 40 vjeçare, Leka Kruta është vlerësuar me titullin “Artist i Merituar”, ndërkohë që Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i ka akorduar Urdhrin “Naim Frashëri i Artë”. Po ashtu, këshilli bashkiak i Vlorës i ka dhënë atij titullin “Qytetar Nderi”. 
Në nderim të jetës dhe emrit të Krutës,  zhvillohen homazhe në mjediset e Teatrit “Petro Marko”.