Lajme Shqip Wednesday, 16 November 2011 15:04

Natasha Kandiq, themeluese dhe drejtoreshë ekzekutive e Fondit për të Drejtën Humanitare në New York, ka prezantuar botimin “Libër Kujtimi i Kosovës,” me rrëfime për mbi 2 mijë të vrarë para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë në vitet 1998-2000.

Duke e prezantuar si një avokate e palodhshme për të drejtat e njeriut, profesoresha në Universitetin New School në New York, Anna di Lellio tha se Kandiq për dekada ishte një zonjë e guximshme, shumëherë e keqtrajtuar në postblloqet e luftërave në ish Jugosllavi.

Para dhjetëra studentëve të programit master për marrëdhënie ndërkombëtare, Z. Kandiq foli për librin ‘Kujtimi i Kosovës’ dhe për iniciativën rajonale të ashtuquajtur RECOM që do të dokumentonte të gjitha krimet e luftës të kryera në luftërat e ish Jugosllavisë.

Kandiq tha se në Kosovë janë vrarë 13.500 veta nga periudha janar 1998 deri dhjetor 2000, ndërsa libri përshkruante rrëfimin për vrasjen e 2064 njerëzve, prej tyre 1.705 shqiptarë, shumica civilë. 

“Ka shumë libra për viktimat, por ky është libri më shterues për të vrarët dhe të zhdukurit,” tha Kandiq duke shtuar se qëllimi i botimit të tij ishte nxjerrja e së vërtetës dhe parandalimi i manipulimit me numrat.

Ajo përmendi raste të vrasjeve në masë të shqiptarëve në Meje, Vushtrri, Suharekë, Çyshk, Izbicë, në disa raste pa dëshmitarë të mbijetuar, trupat e të cilëve u hodhën në varre masive në Serbi.